Transmetuar më 27-12-2025, 19:12

Bullgaria ofron ndihmë emergjente për Maqedoninë e Veriut pas krizës energjetike

Bullgaria i ka ofruar Maqedonisë së Veriut furnizim me mazut, pasi ka konfirmuar se disponon rezerva të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e brendshme të vendit. Lajmi është bërë i ditur nga shërbimi për shtyp i qeverisë bullgare.

Vendimi u mor pas një inspektimi të kryer nga ministri i Energjisë, Zheço Stankov, me urdhër të kryeministrit në largim Rosen Zheljazkov. Inspektimi konstatoi se rezervat e mazutit në Bullgari janë në nivele të sigurta, duke krijuar mundësinë për ndihmë ndaj vendeve fqinje.

Në bazë të këtyre të dhënave, autoritetet bullgare propozuan dërgimin urgjent të karburantit për kaldaja në Maqedoninë e Veriut, me qëllim zbutjen e pasojave të gjendjes së jashtëzakonshme që u shpall një ditë më parë në të gjithë territorin e vendit.

Oferta u përcoll gjatë një bisede telefonike mes ministrit të Jashtëm bullgar Georg Georgiev dhe homologut të tij nga Maqedonia e Veriut, Timço Mucunski. Sofja ka shprehur gatishmërinë për të siguruar sasitë e nevojshme të karburantit, për aq kohë sa kushtet teknike dhe logjistike e lejojnë realizimin e furnizimit.

Zyrtarët bullgarë theksuan se kjo ndihmë është shprehje e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe e solidaritetit rajonal, me synim forcimin e sigurisë energjetike dhe stabilitetit në Ballkan.

Maqedonia e Veriut shpalli gjendje të jashtëzakonshme për shkak të problemeve serioze në furnizimin me energji, të shkaktuara nga bllokimi i pikave kufitare me Greqinë. Protestat e fermerëve grekë kanë penguar importin e karburanteve dhe lëndëve të para jetike në vend. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit