

Deputeti Ervin Salianji ka përcjellë mesazhe kritike ndaj drejtuesve të Partisë Demokratike gjatë një takimi të zhvilluar sot në Shkodër, duke theksuar pakënaqësitë për mënyrën se si po menaxhohet komunikimi dhe organizimi brenda partisë.
Duke siguruar se nuk e njeh dhe nuk e ha presionin, Salianji kritikoi strukturat e PD-së duke i tallur ata: "Sillen si lepurusha para regjimit, si tigra para demokratëve", tha Salianji.
Salianji u ndal te një mesazh i shpërndarë së fundmi në emër të Partisë Demokratike, ku sugjerohej se takimi në Shkodër organizohej nga Benet Beci. Ai sqaroi se mesazhi ishte dërguar nga një numër telefoni që paguhet nga financa e PD, duke e cilësuar këtë veprim si keqinformues.
“Nuk ju kanë uruar as për Krishtlindje, as për Bajram, nuk kanë bërë thirrje për protesta, por bëjnë thirrje që të mos takohemi bashkë”, u shpreh Salianji, duke kritikuar mungesën e komunikimit me bazën demokrate.
Salianji tha se Benet Beci nuk është një emërim personal i tij apo i anëtarësisë në Shkodër, por një emërim i bërë nga drejtuesit aktualë të Partisë Demokratike, duke nënkuptuar Berishën.
Ashtu si Rama nuk e përmend kurrë në emër Berishën, edhe Salianji akuzoi kreun demokrat dhe shpurën që i rri pas se "u janë qepur pas karrigeve” dhe se po veprojnë pa mbështetjen reale të demokratëve.
Deklaratat u bënë në kuadër të një takimi me mbështetës dhe të rinj demokratë në Shkodër, pjesë e turit të takimeve që Salianji po zhvillon në disa qytete të vendit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






