

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar një seri të gjerë kontrollesh në banesa, zyra dhe biznese, në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “Balluku”. Sipas burimeve zyrtare, deri më tani janë kryer 34 kontrolle, ndërsa numri total i veprimeve të urdhëruara pritet të shkojë në 54.
Kontrollet janë zhvilluar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me autorizim të prokurorëve të SPAK, dhe kanë përfshirë kryesisht staf të Ministrisë së Infrastrukturës, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Mes personave ndaj të cilëve është ushtruar kontroll është edhe shefja e kabinetit, Sindi Dushku.
Raportohet se, me vendim të gjyqtarit Erjon Çela, në ditët në vijim do të vijojnë edhe 20 kontrolle të tjera, që do të shtrihen ndaj biznesmenëve dhe punonjësve të institucioneve të lidhura me hetimin.
Aksioni është kryer pothuajse tërësisht nga BKH, pa përfshirjen e Policisë së Shtetit në ambientet e brendshme, me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor dhe administrimin e provave.
Më herët janë kontrolluar edhe banesat apo ambientet e disa ish-zyrtarëve të lartë, përfshirë Sajmir Kuçin, ish-punonjës i ARRSH, Erald Elezin, ish-drejtor i KESH dhe aktualisht në masë “arrest shtëpie” për dosjen e tunelit të Llogarasë, Gentian Gjylin, ish-kreu i ARRSH, si dhe Marsel Hoxhën, Jonida Çeçon dhe Viola Haxhihademin, ish-sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtuese e KESH.
Kontrollet janë pjesë e thellimit të hetimit penal, ku zyrtarja më e lartë nën akuzë mbetet zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe autorizimin për masa kufizuese të lirisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






