

SHKODËR- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka njoftuar se do të zhvillojë sot në orën 18:00 një takim me demokratët në Shkodër. Lidhur me këtë takim ka pasur reagime të shumta, një ndër to edhe dega lokale e PD-së në Shkodër. Me anë të një mesazhi të shpërndarë strukturave dhe mbështetësve të saj, dega lokale thotë se takimi i Salianjit organizohet nga Benet Beci, kryebashkiak i Shkodrës. Në njoftim thuhet gjithashtu se ky takim i shërben vetëm Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
“I dashur anëtar i PD Shkodër. Sot, duke spekuluar në emër të PD-së, po tentohet të organizohet një takim me një axhendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky takim organizohet nga Benet Beci dhe falanga e tij dhe për më keq, me mbështetjen edhe të elementëve kriminalë. Dega e PD Shkodër ju bën thirrje ju, si anëtarë të degës, të distancoheni, pasi ky takim i shkon për shtat axhendës së Edi Ramës”, thuhet në njoftim.

Siç duket, mes Salianjit dhe PD-së ka një krisje, pas takimeve të fundit të ish-deputetit demokrat. Edhe vetë Lideri i opozitës ka deklaruar më herët se ish-deputeti është vetëpërjashtuar nga PD me këto lëvizje të fundit që po kryen jashtë strukturave partiake. Ndërkohë, Kryedemokrati Sali Berisha do të mbajnë takimin e radhës të Foltores, me strukturat e partisë në qytetin e Korçës në të njejtën orë me Salianjin.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






