

VLORË- Dy ditë pas ngjarjes tragjike që ndodhi në një fushë kalçetoje në fshatin Novosel, ku humbi jetën një 42-vjeçar, sot i është dhënë lamtumira e fundit Besfort Ruanajt në ceremoninë mortore. Pronari i kalçetos, Arben Hyso, ka deklaruar për Top Channel se viktima kishte qenë për herë të parë në atë fushë sportive.
Sipas tij, Ruanaj po luante si portier së bashku me një grup shokësh, të cilët gjithashtu nuk kishin frekuentuar prej kohësh kalçeton.
Hyso shpjegoi se ndeshja kishte nisur rreth orës 23:00 dhe pas afro 40 minutash lojë, 42-vjeçari u godit nga topi në zonën e kraharorit. Ai theksoi se goditja nuk ishte e fortë, por menjëherë pas saj Ruanaj u rrëzua në tokë. Shokët e tij u përpoqën t’i jepnin ndihmën e parë, por pa sukses.
Sipas pronarit të kalçetos, ambulanca mbërriti në vendngjarje pasi 42-vjeçari kishte ndërruar jetë. Besfort Ruanaj jetonte dhe punonte prej vitesh si emigrant në Gjermani.
“Ishte hera e parë që vinte në këtë kalçeto. Ka qenë së bashku me një grup djemsh që edhe ata kishin kohë që nuk vinin në kalçeto. Gjatë ndeshjes ku 42-vjeçari ka luajtur portier, loja kishte rreth 40 min që kishte nisur, ku rreth orës 23 të mbrëmjes kishte nisur loja, kishte kaluar rreth 40 min ku 42-vjeçari është goditur me top në kraharor, por sipas administratorit të kalçetos goditja nuk ka qenë e fortë. Ai është rrezuar në tokë ku i është dhënë ndihma e parë nga shokët, por ka qenë e pamundur. Kur ka mbërritur ambulanca, 42-vjeçari Besford Runaj ka ndërruar jetë”, deklaroi Arben Hyso,
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






