

TIRANË, 27 Dhjetor 2025 – Pushimet zyrtare të vendosura nga qeveria, të vlefshme vetëm për administratën publike, të kombinuara me mosfunksionimin e sistemeve online shtetërore, kanë sjellë bllokim të aktivitetit për shumë biznese në vend.
Me 25 dhjetorin, festën e Krishtlindjeve që ra ditën e enjte, edhe dita e premte u shpall pushim zyrtar për administratën, duke krijuar një periudhë katërditore pushimi përfshirë fundjavën. Ndërkohë, bizneset kanë vijuar aktivitetin, por në praktikë janë përballur me pamundësinë për të kryer shërbime bazë për shkak të problemeve në sistemet online.
Bizneset raportuan për “Monitor” se gjatë ditës së premte dhe përgjatë të shtunës, disa nga platformat kryesore shtetërore nuk kanë funksionuar ose kanë punuar me shumë vështirësi. Me administratën fizike të mbyllur dhe shërbimet digjitale jashtë funksionit, sipërmarrjet janë penalizuar pa pasur mundësi ankese apo zgjidhjeje.
Prej disa ditësh, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) nuk është e mundur të kryhen aplikime për regjistrimin e shoqërive të reja apo për ndryshime të të dhënave, si shitja e kuotave apo kapitali. Probleme raportohen edhe në sistemin “self care” për faturimin, si dhe në aplikimet për barrë lindjeje apo shtimin e punonjësve të rinj, ku faqet nuk hapen ose kërkojnë pritje të gjata.
Vështirësi hasin edhe individët, të cilët nuk arrijnë të shkarkojnë certifikata, pasi kodi i aksesit për llogaritë personale nuk u dërgohet. Ndërkohë, sistemi i tatimeve (E-tax) raportohet se funksionon normalisht, por platformat e tjera të ndërlidhura përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpesh rezultojnë jashtë funksioni.
Sipas bizneseve, situata përbën një problem serioz për vijimësinë e aktivitetit ekonomik dhe marrëdhëniet me administratën publike, duke i kthyer ditët e festave në ditë humbjeje financiare dhe pasigurie për sipërmarrjen.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






