

Tiranë- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i akordoi “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” Inspektor Marsel Bicja, i cili i dha ndihmën dhe shpëtoi nga djegia si pasojë e shpërthimit të një bombe molotov, një protestues në tubimin e PD-së para Kryeministrisë.
Titulli u dha me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit”.
Certifikata iu dorëzua nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda: “Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”.
Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për inkurajimin dhe mbështetjen që i jep strukturave të Policisë, si dhe vlerësoi veprimin e punonjësit të Shqiponjave, veprim që s’kishte nevojë për komandë për të vepruar, por e komandoi uniforma që mbajmë veshur dhe ndjenja njerëzore.
Inspektor Marsel Bicja, gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohje për certifikatën dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






