

Gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin të rishesin dhuratat e Krishtlindjes apo Vitit të Ri që nuk u pëlqejnë, duke i nxjerrë ato në platforma online për shitje të sendeve të përdorura. Sipas vlerësimeve, ky trend është në rritje të vazhdueshme, veçanërisht në Francë.
Kompania Rakuten parashikon që numri i dhuratave të padëshiruara të nxjerra në shitje në Francë të kalojë 1 milion në ditët pas festave. Aktualisht, mijëra produkte janë tashmë të listuara në platformat e rishitjes.
Cilat janë dhuratat që rishiten më shpesh
Sipas të dhënave, ndër produktet që shiten më së shumti pas Krishtlindjes përfshihen:
libra
videolojëra
DVD
telefona inteligjentë
lodra
Rakuten ka regjistruar deri tani rreth 390.000 njoftime për rishitje, një shifër kjo 2% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kush i rishet më shpesh dhuratat
Një sondazh i kryer nga Ipsos BVA tregon se 3 në 10 francezë janë të gatshëm të rishesin një dhuratë të Krishtlindjes nëse nuk u pëlqen. Ky fenomen është veçanërisht i përhapur te grupmosha 35–54 vjeç, ku 41% e të anketuarve e kanë adoptuar këtë praktikë.
Për shumë persona, rishitja e dhuratave është një mënyrë për të financuar diçka që e dëshirojnë vërtet. 21% e të anketuarve deklaruan se paratë e fituara i përdorin për t’i bërë vetes një dhuratë që u sjell kënaqësi reale.
Të tjerë preferojnë që të ardhurat nga rishitja t’i kursejnë ose t’i përdorin për të mbuluar shpenzimet e festave.
Sa para fitojnë nga rishitja
Sipas të dhënave, personat që rishitën dhuratat e tyre vitin e kaluar fituan mesatarisht rreth 100 euro, ndërsa në disa raste shuma arriti edhe në 300 euro.
Ky trend vihet re edhe në platformën eBay, ku vetëm që nga fillimi i ditës janë regjistruar rreth 500.000 njoftime për rishitje. Sipas të dhënave të kësaj platforme që citon noa.al, gati 20 milionë francezë kanë shitur të paktën një dhuratë Krishtlindjeje vitet e fundit.
Produktet e rishitura ofrohen zakonisht me çmime 30% deri në 70% më të ulëta se çmimi origjinal, gjë që i bën ato tërheqëse për blerësit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






