

Profesor i Harvardit për Trump: “Nuk i dha fund luftërave – është i paduruar dhe ndërmjetës i dobët për paqen”
Donald Trump ka pretenduar se gjatë vitit 2025 i ka dhënë fund të paktën tetë konflikteve në botë. Megjithatë, nga Gaza te Sudani e deri te Pakistani, realiteti në terren tregon se armët nuk kanë heshtur. Sipas profesor it të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, Stephen Walt, Trump ka dështuar si paqebërës sepse ai dhe ekipi i tij neglizhojnë disa parime themelore të diplomacisë.
Duke bërë një vlerësim të përgjithshëm në revistën amerikane Foreign Policy, Walt thekson se rezultatet e deritanishme të përpjekjeve “paqeruajtëse” të Trump janë zhgënjyese.
Gaza, Ukraina dhe konflikte që vazhdojnë
Në Gaza, plani i paqes me 20 pika nuk ka arritur të ndalë përplasjet mes Izraelit dhe Hamasit. Përkundrazi, sipas Walt, ai ka lehtësuar zgjerimin gradual të kontrollit izraelit në Bregun Perëndimor dhe ka përkeqësuar trajtimin e palestinezëve. Qindra civilë janë vrarë, ndihma humanitare mbetet e kufizuar dhe forcat paqeruajtëse që do të mbikëqyrnin armëpushimin nuk janë ngritur ende. Ndërkohë, lufta në Ukrainë vazhdon pa shenja ndalimi.
Edhe pretendimi i Trump se ka ndalur konfliktin kufitar mes Kamboxhias dhe Tajlandës është rrëzuar nga zhvillimet e fundit, pasi përplasjet janë rinisur. Kryeministri tajlandez i ka bërë të qartë Trump-it se vendi i tij do të vazhdojë operacionet ushtarake derisa të mos ndiejë më kërcënim për territorin dhe popullin e vet.
Paqe vetëm me fjalë!
Sipas profesor it amerikan, i njëjti skenar përsëritet edhe në Republikën Demokratike të Kongos, ku milicia M23 – e mbështetur nga Ruanda – ka rifilluar ofensivën. Madje edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka pranuar se kjo përbën shkelje të qartë të armëpushimit që supozohej se ishte ndërmjetësuar nga Trump.
Në Sudan, përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës civile nuk kanë sjellë rezultate, ndërsa kryeministri indian Narendra Modi ka hedhur poshtë pretendimet e Trump për ndalimin e tensioneve me Pakistanin. Po ashtu, Egjipti dhe Etiopia vazhdojnë përplasjen për digën në Nil, pavarësisht ndërhyrjeve të herëpashershme të Uashingtonit.
Për Walt, këto raste tregojnë se deklaratat e Trump për paqen janë më shumë zhurmë komunikimi sesa arritje reale.
Luftërat nuk mbyllen kaq lehtë
Profesori që citon noa.al thekson se përfundimi i një lufte zakonisht kërkon ose një fitore të qartë të njërës palë, ose pranimin e ndërsjellë se konflikti nuk sjell më përfitime. Në çdo rast, duhen zgjidhur çështje komplekse: kufijtë, dëmshpërblimet, kthimi i të burgosurve, garancitë e sigurisë dhe mekanizmat e mbikëqyrjes. Një marrëveshje e qëndrueshme kërkon kohë, durim dhe ndërmjetës të paanshëm.
“Trump është i paduruar”
Sipas Walt, Trump dështon sepse nuk i kushton vëmendje këtyre elementeve. Ai është i njohur për mungesë durimi dhe interes të ulët për detajet. Ndryshe nga figura historike si Jimmy Carter apo Theodore Roosevelt, që investuan kohë dhe energji për të ndërtuar paqe afatgjatë, Trump nuk është i gatshëm të angazhohet thellë në negociata të vështira.
Për më tepër, ai mbështetet te figura jo-profesionale në diplomaci, si Jared Kushner apo Steve Witkoff, duke anashkaluar diplomatët me përvojë. Kjo, sipas profesor it, dobëson seriozisht cilësinë e negociatave.
Mungesë paanshmërie
Walt përfundon se shumë nga të dërguarit e Trump nuk perceptohen si të paanshëm, çka minon besimin e palëve në konflikt. Kjo ka qenë veçanërisht e dukshme në Lindjen e Mesme, për shkak të simpative të hapura pro-izraelite të ekipit të tij, si edhe në Ukrainë, ku Trump ka shfaqur qëndrime më të afërta me Moskën.
Në këto kushte, përfundon profesori i Harvardit, marrëveshjet e shpejta dhe simbolike nuk mund të sjellin paqe të qëndrueshme – dhe shpesh shemben menjëherë pas nënshkrimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






