Transmetuar më 26-12-2025, 23:09

Kur “thyhet” miti i Babagjyshit të Vitit të Ri dhe çfarë tregon kjo për mendjen e fëmijës

Teksa fëmijët rriten, pyetjet për Babagjyshin e Vitit të Ri bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më këmbëngulëse. Kur fillon të zbehet besimi dhe pse, sipas studiuesve, ky është një hap krejtësisht normal i zhvillimit?

Si mund të udhëtojë një njeri në të gjithë botën brenda një nate? Si hyn nga oxhaqet? Dhe sa biskota mund të hajë para se të agojë dita? Këto dyshime shfaqen pothuajse te çdo fëmijë në një moment të fëmijërisë dhe, zakonisht, përqendrohen te një figurë e vetme: Babagjyshi i Vitit të Ri.

Studiuesit e zhvillimit të fëmijës vërejnë se periudha e festave i përshpejton këto dyshime. Fëmijët vëzhgojnë më shumë, mbajnë mend çfarë u është thënë më parë dhe fillojnë të krahasojnë histori. Dyshimi nuk vjen papritur; ai ndërtohet gradualisht, përmes mospërputhjeve të vogla që me kalimin e kohës bëhen të dukshme.

Pse besimi zgjat më shumë nga sa mendojmë

Gazetarja shkencore Sheila Love, duke u mbështetur në kërkime të psikologjisë së zhvillimit, shpjegon se shumica e fëmijëve janë në gjendje që që në moshë parashkollore të dallojnë fantazinë nga realiteti. Megjithatë, besimi te Babagjyshi shpesh vazhdon deri në moshën 7–8 vjeç.

Arsyeja nuk lidhet me mungesë aftësish njohëse, por me faktin se miti përforcohet nga të gjithë: prindër, të afërm, shkolla dhe vetë atmosfera festive. Kur një histori mbështetet kolektivisht, fëmijët kanë arsye të forta për ta mbajtur gjallë.

Kur zbulimi vjen papritur

Sipas studimeve, mënyra se si ruhet ky besim ka rëndësi. Kur prindërit këmbëngulin tepër në mit dhe e vërteta del në dritë papritur – ose nga një person i tretë – disa fëmijë përjetojnë zhgënjim, zemërim apo ndjenjën se janë mashtruar.

Por kjo nuk është e vetmja përvojë. Shumë fëmijë e kujtojnë momentin e “zbulimit” me ndjenja pozitive: për disa ishte lehtësim, sepse më në fund morën përgjigje; për të tjerë ishte krenari, sikur kishin zgjidhur vetë një enigmë. Kjo tregon se humbja e besimit nuk është domosdoshmërisht traumatike.

Çfarë këshillojnë specialistët prindërit

Në sfond qëndron edhe teoria e psikologut Jean Piaget, i cili përshkroi zhvillimin e mendimit nga “magjik” drejt një kuptimi më logjik të botës. Për shumë studiues, momenti kur një fëmijë pushon së besuari te Babagjyshi është një shenjë e vogël e kësaj kalimtareje.

Në praktikë, këshilla për prindërit është e thjeshtë: qetësi dhe fleksibilitet. Kur pyetjet shtohen, nuk ka nevojë as për shpikje të reja, as për një rrëzim të menjëhershëm të mitit. Përgjigje që i lënë hapësirë mendimit të fëmijës – si “ti çfarë mendon?” ose “disa njerëz besojnë kështu” – ndihmojnë që fëmija të arrijë vetë në përfundime.

Një kalim i natyrshëm i fëmijërisë

Edhe kur zbulimi shoqërohet me trishtim, të dhënat tregojnë se kjo ndjenjë zakonisht kalon shpejt. Brenda pak muajsh, shumica e fëmijëve e shohin Babagjyshin si simbol gëzimi, tradite dhe loje. Siç theksojnë shkencëtarët, ngatërrimi mes fantazisë dhe realitetit nuk është diçka që duhet korrigjuar me nxitim, por një fazë normale e rritjes – dhe shpesh ushtrimi i parë i vërtetë i mendimit kritik në jetën e njeriut.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit