

Të paktën tre persona u plagosën me armë të ftohtë në metronë e Parisit, pasditen e sot e më 26 dhjetor, nga një burrë që u largua nga vendngjarja pasi kreu sulmet ndaj udhëtarëve, që të gjitha femra.
Lajmi u konfirmua nga Prokuroria e Parisit për Le Monde dhe Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) që citon noa.al.
Sulmet ndodhën në stacionet e linjës 3 të metrosë: Arts-et-Métiers, République dhe Opéra, në qendër të kryeqytetit, mes orës 16:15 dhe 16:45, bëri të ditur operatori publik i transportit parizian (RATP).
Autori i dyshuar, 25 vjeç, u identifikua në sajë të pamjeve të kamerave të sigurisë. Ai ishte i njohur më parë nga policia për disa vepra penale, përfshirë dëmtime të pronës.
Sipas prokurorisë, gjurmimi i telefonit të tij celular çoi në arrestimin e tij në fund të pasdites në Val-d’Oise. Është hapur një hetim për tentativë vrasjeje me dashje dhe dhunë me armë.
Sipas Prefekturës së Policisë së Parisit, i dyshuari u arrestua në orën 18:55 nga shërbimi hetimor, me mbështetjen e policisë së Val-d’Oise.
“Vigjilencë maksimale” para Vitit të Ri
Dy nga viktimat u ndihmuan nga shërbimet e emergjencës dhe u dërguan në spital pa rrezik për jetën, ndërsa e treta u paraqit vetë në spital. Prefekti i Policisë së Parisit, Patrice Faure, njoftoi në rrjetin social X se të tre gratë ishin plagosur.
Një gazetar i AFP-së pa në stacionin République një grua të ndihmuar nga sigurimi, e plagosur në këmbë dhe dukshëm e tronditur.
Një javë më parë, ministri i Brendshëm u kishte kërkuar prefektëve dhe autoriteteve të sigurisë “vigjilencë maksimale” për festimet e Vitit të Ri, për shkak të nivelit të lartë të kërcënimit terrorist dhe rrezikut për prishje të rendit publik. Ai kërkoi forcim të masave të sigurisë në gjithë territorin, me prani të dukshme dhe parandaluese, veçanërisht në transportin publik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






