Transmetuar më 26-12-2025, 19:54

Prej disa ditësh, platforma e‑Albania po përballet me një bllokim serioz teknik, duke paralizuar një sërë shërbimesh thelbësore për qytetarët dhe bizneset, brenda dhe jashtë vendit.

Nëse përpiqesh të logohesh është e pamundur. Faqja nuk të përgjigjet, duke mos të dhënë as kod hyrjeje dhe as akses në shërbime.

Nga ana tjetër, në sistem nuk shfaqen data të lira për rezervime për shërbime si aplikimet për karta identiteti apo pasaporta, shërbime konsullore, si dhe procedura të lidhura me Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), përfshirë regjistrime, ndryshime të të dhënave dhe pajisje me dokumente zyrtare për kompanitë.

Në faqen e-Albania nuk ka asnjë ndjesë publike për këtë kaos. Gjithashtu nuk ka asnjë informacion që të shpjegojë pse është jashtë shërbimi. Ndërkohë që nuk ka informacion as edhe se kur do të rihapen shërbimet.

Mediat ndërkombëtare po e analizojnë me kritikë këtë situatë. Deutsche Welle, vlerëson se ky bllokim ka krijuar një zinxhir konfuzioni institucional.

Konsullatat shqiptare jashtë vendit praktikisht janë në vendnumëro sepse aplikimet për rinovimin e pasaportave kryhen vetëm përmes e-Albania dhe nuk ekziston një rrugë alternative. Kjo bën që shumë njerëz të prishin planet e tyre për udhëtim dhe evente të tjera.

Vetë konsullatat kanë pranuar se sistemi është i ngrirë për shkak të një defekti teknik të paparashikuar dhe se aktualisht nuk dihet se sa do të zgjasë kjo situatë. Por ky duket të jetë një justifikim sepse faktikisht në tërësi e-Albania nuk po funksionon pasi as mund të futeshin brenda saj.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u kërkon qytetarëve të presin një “moment të dytë”, pa dhënë një afat konkret ndërkohë që sistemi është down sërish.

Rrjeti radioteleviziv publik Deutsche Welle, alarmon se shqetësim përbën mungesa e një plani alternativ funksional: kur platforma e vetme dixhitale bie, i gjithë shteti online bllokohet. Pasojat janë konkrete: qytetarë që nuk rinovojnë dot dokumentet personale dhe biznese që nuk kryejnë procedura ligjore bazë, duke pësuar humbje financiare dhe vonesa administrative.

Ky zhvillim vjen në një moment delikat për sistemet dixhiitale shtetërore, pas incidenteve të mëparshme që kanë goditur infrastrukturën e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucioni që administron platformat kryesore elektronike të shtetit. Disa prej këtyre rasteve janë objekt verifikimi edhe nga SPAK.

Në lidhje me situatën, eksperti i IT-së Besmir Semanaj duke folur në Top News tha se problemi buron nga sistemi i gjendjes civile, i cili përbën nyjën kryesore lidhëse të e-Albania-s.

Sipas tij, defekti në këtë sistem ka shkaktuar bllokim zinxhir në shërbimet e tjera. Ai tha se situata lidhet edhe me hetimet e SPAK ndaj AKSHI-t dhe kompanive të përfshira në skandalin e tenderave.

“Fillimisht u duk si problem teknik, pasi që në fillim të javës u shfaqën probleme në faqen e AKSHI-t dhe disa faqe të tjera shtetërore. Më pas nisën ankesat e qytetarëve për mungesë shërbimesh. Nga informacionet që kam, kemi të bëjmë me një problem në sistemin e gjendjes civile, që ka paralizuar edhe sistemet e tjera.

Përgjegjësinë duhet ta mbajnë drejtuesit e AKSHI-t, të cilët ndodhen në arrest shtëpie. Ka lidhje të drejtpërdrejtë me hetimet e SPAK. Drejtuesit kanë deleguar detyrat, por nuk kanë dhënë dorëheqjen. Kemi kompani mbështetëse në kërkim dhe mungesë totale menaxhimi. Pa emërime të reja, problemet do të vazhdojnë. Ajo që mungon më shumë është transparenca: nuk ka asnjë reagim zyrtar, asnjë shpjegim se çfarë po ndodh dhe sa do të zgjasë kjo gjendje kritike”, u shpreh Semanaj.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit