Transmetuar më 26-12-2025, 18:28

Me dimrin që ka nisur, virozat sezonale po përhapen me shpejtësi dhe shumë njerëz janë të shqetësuar për shëndetin e tyre.

Shpesh, simptomat e Covid-19 ngatërrohen me ato të gripit, gjë që mund të çojë në diagnozë të gabuar ose në dyshime për efektivitetin e vaksinave të kryera vitet e kaluara.

Edhe pse mbi 7.1 milionë persona kanë humbur jetën globalisht nga Covid-19 – rreth 227 mijë vetëm në Britani – një studim i publikuar në JAMA Network Open arriti në përfundimin se të rriturit e vaksinuar në Francë kishin 25% më pak rrezik vdekjeje nga çdo shkak, krahasuar me të pavaksinuarit.

Studimi u bazua në të dhëna nga 22.7 milionë persona të vaksinuar dhe 5.9 milionë të pavaksinuar. Megjithatë, vaksinimi nuk do të thotë se dikush nuk mund të infektohet me Covid.

Javët e fundit, shumë punonjës mungojnë në punë për shkak sëmundjeje, pasi virozat sezonale po shfaqen më herët se zakonisht. Në shumë raste bëhet fjalë për sëmundje të ndryshme, çka e bën edhe më të lehtë konfuzionin mes gripit dhe Covid-it.

Me afrimin e festave, rritet edhe frika e infektimit me Covid, pasi kjo mund të çojë në izolim dhe shmangie të kontakteve me të afërmit, sidomos me të moshuarit.

Simptomat e gripit

Gripi (influenza) është një infeksion viral që prek hundën, fytin dhe mushkëritë, sipas Agjencisë Britanike të Sigurisë Shëndetësore.

Ai është më i rëndë se ftohja e zakonshme dhe mund të shkaktojë sëmundje serioze, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Dimrin e kaluar, në Britani u regjistruan rreth 8.000 vdekje të lidhura me gripin.

Simptomat kryesore të gripit janë:

rrjedhje hundësh

teshtitje

lotim i syve

irritim i fytit

shfaqje e menjëhershme e simptomave

lodhje e theksuar

temperaturë e lartë

dhimbje trupi dhe muskujsh

Simptomat e Covid-19

Gjashtë vite pas rastit të parë në Uhan të Kinës, Covid-19 vazhdon të qarkullojë, por në forma më të lehta, kryesisht falë vaksinimit masiv.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 67% e popullsisë botërore është vaksinuar.

Sipas specialistëve, një nga dallimet kryesore është kolla, e cila në Covid është më e thatë dhe më e vazhdueshme. Shërbimi Shëndetësor Britanik (NHS) e përshkruan kollën karakteristike të Covid-it si më shumë se tre episode brenda 24 orëve.

Përveç simptomave të ngjashme me gripin, te Covid-19 mund të shfaqen edhe:

diarre ose probleme gastrointestinale

humbje e shijes ose e nuhatjes

Këto dy simptoma janë ato që e dallojnë më qartë Covid-in nga gripi. Kur ato shfaqen së bashku me simptoma gripale, rekomandohet shmangia e kontakteve me të tjerët.

Mjekja e përgjithshme dhe drejtoresha mjekësore e Midland Health, Dr. Rupa Parmar, thekson se lloji i kollës është elementi më i lehtë për t’u dalluar.

Sipas saj, te gripi kolla shfaqet papritur, ndërsa te Covid është e thatë dhe e vazhdueshme, me shumë pacientë që kolliten për më shumë se një orë ose kanë tre apo më shumë episode brenda së njëjtës ditë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit