

Tetë fraza që ia vlen t’i thuash në një grindje me “gjysmën tjetër” tënde. Nëse e do dikë, mëso si të debatosh me të, këmbëngulin ekspertët
Nëse e do dikë, mëso si të grindesh me të. Kjo është këshilla më thelbësore që u jep çifteve për mënyrën si duhet menaxhuar një konflikt, Krystal Mazzola Wood, terapiste martese dhe familjeje në Phoenix të SHBA-së, e cila ka folur për revistën Time, citon noa.al.
“Kjo bën një ndryshim të jashtëzakonshëm”, shprehet ajo. “Shumica prej nesh nuk kemi aftësi të lindura për komunikim të shëndetshëm kur ndihemi të shtypur ose kur mendojmë se nuk na dëgjojnë, sepse në ato momente trupi hyn fjalë për fjalë në gjendjen ‘luftë ose arratisje’. Duhet të ushtrohemi me vetëdije në mënyrën si komunikojmë gjatë konfliktit, nëse duam ta mbrojmë dhe ta forcojmë marrëdhënien tonë”.
Kjo do të thotë se është e dobishme të kemi disa fraza “gati” në mendje për momentet kur tensioni rritet. Specialistët shpjegojnë çfarë mund t’i themi partnerit gjatë sherrit të radhës – dhe si këto fraza mund të na afrojnë sërish.
1. “Ke të drejtë për…”
Shumë çifte ngecin te pyetja se kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim. “Përqendrohen tepër te dëshira për të provuar se kanë të drejtë”, shpjegon Mazzola Wood. Kjo e bën tjetrin të ndihet i padëgjuar, ndaj mbrohet dhe konflikti vazhdon.
Në vend që të mendosh si të imponohesh, prano diçka me të cilën pajtohesh nga ajo që tha partneri yt. Tensioni bie dhe të dyve ju kujtohet se jeni në të njëjtën anë.
2. “Më vjen keq për…”
Të kërkosh falje për rolin tënd në sherr – pa marrë mbi vete gjithë fajin – është rruga më e shkurtër drejt qetësimit. “Kur dikush dëgjon një ndjesë të sinqertë, zbutet menjëherë”, thotë specialistja.
Ji konkret dhe i sinqertë. Shmang fraza si “më vjen keq që ndihesh kështu” ose “më vjen keq, por…”, sepse zakonisht vetëm sa e rrisin tensionin.
3. “Po të dëgjoj të thuash që… A e kuptova saktë?”
Kjo frazë e kthen sherrin nga përplasje në lidhje. “Tregon se nuk po pret thjesht radhën për të folur”, shpjegon Molly Burrets, terapiste çiftesh dhe pedagoge në Universitetin e Kalifornisë Jugore.
Kur tjetri ndihet vërtet i dëgjuar, ulet nevoja për të vazhduar grindjen.
4. “Ajo që më duhet është…”
Kur i shpreh qartë nevojat e tua, kalon nga akuzat te zgjidhja. Shumë njerëz presin që partneri t’u “lexojë mendjen”, dhe përfundojnë të mbushur me zemërim e zhgënjim.
Të thuash qetë dhe hapur çfarë të ndihmon të ndihesh i mbështetur është shumë më efektive sesa sulmi apo heshtja.
5. “Nuk jam unë kundër teje – jemi ne kundër problemit”
Psikoterapisti Steven Sizemore sugjeron që mosmarrëveshjet të shihen si një sfidë e përbashkët, jo si betejë mes dy personash. Përdorimi i “ne”-së forcon bashkëpunimin dhe ul nevojën për akuza.
6. “Mendoj se na duhet një pushim dhe të flasim sërish pas 10 minutash”
Kur tensioni arrin kulmin, askush nuk mendon qartë. Disa largohen pa thënë ku shkojnë, të tjerë këmbëngulin që gjithçka të zgjidhet menjëherë, edhe pse nuk janë në gjendje.
Një pushim i shkurtër, i rënë dakord, ul stresin pa krijuar ndjesinë e braktisjes – me kusht që të riktheheni vërtet te biseda.
7. “Faleminderit që po më dëgjon”
Vlerësimi i përpjekjes së tjetrit ka një efekt të fuqishëm. Studimet tregojnë se në çiftet e shëndetshme, për çdo ndërveprim negativ ka të paktën pesë pozitivë, edhe gjatë një sherri.
8. “Pajtimi ynë është prioritet për mua”
Shumë konflikte përsëriten me kalimin e kohës. E rëndësishme nuk është të “fitosh” sherrin, por të tregosh se marrëdhënia është më e rëndësishme se rezultati i momentit.
“Kujtoja partnerit se jeni në të njëjtin ekip”, thekson Mazzola Wood. “Kjo i ndihmon të dy të marrin frymë lirisht dhe të ndihen sërish të sigurt”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






