Transmetuar më 26-12-2025, 15:03

Kursi i këmbimit Euro-Lek po shfaq tendenca të mëtejshme në rënie gjatë kësaj jave. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 96.46 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, në ditët e fundit në treg ka ofertë të shtuar të valutës së huaj, çka përfaqëson një tendencë pak a shumë të zakonshme sezonale. Në veçanti, kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit sjell flukse më të larta të monedhës europiane.

Rënia vjetore e kursit ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme. Kundrejt të njëjtës datë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek rezulton në rënie me 2.1%.

Megjithatë, ecuria më e stabilizuar e kursit gjatë këtij viti i detyrohet më shumë ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë sesa forcave të tregut.

Nga informacionet e deritanishme, Banka Qendrore ka kryer blerje të mëdha të valutës edhe gjatë vitit 2025. Deri në fund të 9-mujorit, këto blerje kishin vlerën e rreth 800 milionë eurove, ndërsa për vitin 2024 kishte blerë 933 milionë euro të tjera. Në mungesë të ndërhyrjeve të bankës së Shqipërisë kursi i këmbimit të monedhës europiane me siguri do të kishte arritur nivele edhe më të ulëta në raport me Lekun.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm për vitin 2026. Sipas informacioneve nga Banka Qendrore, ajo synon të blejë përmes ankandeve deri në 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit