Transmetuar më 25-12-2025, 22:58

GREQI, 25 dhjetor 2025 Një stjuardese me origjinë greke ka humbur jetën pas rrëzimit të avionit me të cilin po punonte, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në Ankara. Familjarë, miq dhe kolegë kanë shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Maria Pappa-s, 42 vjeçe, e cila ishte në krye të detyrës në momentin e tragjedisë.

Partneri i saj ka treguar fjalët e fundit që shkëmbyen para fluturimit fatal. “Folëm për herë të fundit natën para fluturimit. Më tha: ‘Të dua. Do të flasim kur të mbërrij’. Jeta ime iku dhe nuk u kthye më kurrë”, rrëfen ai, duke shtuar se të dy ishin njohur në vitin 2006 gjatë punës në kompaninë Olympic dhe kishin fluturuar disa herë bashkë.

Sipas tij, Maria kishte një karrierë të gjatë në aviacion, duke punuar në rreth 15 kompani të ndryshme pas Olympic. “Ishte hera e parë që punonte për këtë kompani. Nuk kishte frikë; në këtë profesion nuk ka vend për frikë”, u shpreh ai.

Një mesazh prekës ka ardhur edhe nga vëllai i saj, i cili e përshkroi 42-vjeçaren si një njeri të dhembshur, zemërmirë dhe bujar, duke theksuar se ajo ishte “gëzimi i jetës” për familjen.

Maria Pappa kishte nisur punën si stjuardese që në moshë shumë të re, menjëherë pas përfundimit të shkollës. Fluturimi ishte ëndrra e saj e fëmijërisë, të cilën, sipas familjarëve, ajo arriti ta kthente në realitet përmes një karriere të gjatë dhe të përkushtuar në aviacion.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit