Transmetuar më 25-12-2025, 14:48

Ndërsa kompania e trumbetuar fort nga qeveria, Airbus Albania, duket se ka reshtur së funksionuari, Turqia i dhuron qeverisë shqiptare një avion Airbus A319‑115J me vlerë thuajse 12 milionë dollarë.

Mediat raportuan sot se kompania ajrore kombëtare turke, Turkish Airlines, do t’i transferojë qeverisë shqiptare pronësinë e një Airbus A319‑115J, një avion i konfiguruar nga qeveria me vlerë 11.9 milionë dollarë.

Dhurata është pjesë e një marrëveshjeje dypalëshe granti, si përpjekje për të forcuar lidhjet diplomatike dhe ekonomike midis dy vendeve.

‘Turkiye Today” shkruan se sipas marrëveshjes së publikuar në Gazetën Zyrtare të enjten, avioni, i regjistruar si TC-GVC me numër serial 1002 dhe i prodhuar në shkurt të vitit 2000, mbetet i certifikuar për operacione fluturimi.

Marrëveshja dypalëshe thotë se donacioni synon të forcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” midis Turqisë dhe Shqipërisë, të vendosura fillimisht sipas Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992, ku të dyja palët shprehin dëshirën për të forcuar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit të ndërsjellë teknik dhe mbrojtës.

Avioni do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar nga ana e marrësit, dhe Turqia do të mbulojë kostot e transferimit.

Airbus A319-115J është një variant i personalizuar i modelit standard A319-100, i cili është pjesë e familjes A320, një nga seritë më të përdorura në botë të avionëve reaktivë.

Avioni ka një peshë maksimale pasagjerësh prej 75,900 kilogramësh dhe një peshë bazë bosh prej 44,790 kilogramësh.

Ai fuqizohet nga dy motorë CFM56-5B7/P, të dy me mbi 7,000 cikle të mbetura, dhe është i pajisur me një sistem ajror AS400, megjithëse nuk janë instaluar sisteme argëtimi ose lidhjeje gjatë fluturimit.

Edhe pse nuk është një klasifikim komercial i përdorur në oraret publike, A319-115J shfaqet shpesh në flotat ushtarake, qeveritare ose diplomatike, duke përfshirë ato të shteteve anëtare të NATO-s dhe qeverive aleate.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit