

KORÇË – Një 54-vjeçar, punonjës zjarrfikës në Bashkinë e Pogradecit, është arrestuar nga Policia e Korçës, pasi dyshohet se shfrytëzonte lokalin që administronte për shitjen e lëndëve narkotike.
Në kuadër të hetimeve me metoda proaktive dhe kontrolleve intensive për parandalimin e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan operacionin policor të koduar “Aktiviteti”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi L. S., 54 vjeç, banues në Pogradec. Nga kontrolli i ushtruar në lokalin e tij, në lagjen nr. 1 të Pogradecit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike të dyshuar kanabis, një pjesë e së cilës e ndarë në doza gati për shitje, një shumë parash që dyshohet se ishte përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm, si edhe dy aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






