

KAVAJË – Detaje të reja janë zbardhur lidhur me plagosjen e ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Kavajës. Burime policore bëjnë me dije se autori i dyshuar i sulmit është ndaluar, ndërsa dyshohet se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Ngjarja ka ndodhur brenda një prej bizneseve në pronësi të Artur Ligejas, i cili mbeti i plagosur si pasojë e sulmit me mjet prerës. Sipas burimeve, autori ka refuzuar të largohet nga ambientet e biznesit, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e forcave të policisë.
I plagosuri është transportuar për ndihmë mjekësore dhe raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Çfarë tha policia
Rreth orës 10:00, në qytetin e Kavajës, në vendin e quajtur “Agjensia”, në ambientet e një biznesi privat, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. V., 42 vjeç, ka goditur me mjet prerës në dorë shtetasin A. L., 52 vjeç, i cili ka pësuar një dëmtim të lehtë.
Më pas, autori ka dëmtuar xhamat e biznesit në pronësi të shtetasit A. L., si dhe xhamat e një biznesi tjetër aty pranë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autori është përdorues i lëndëve narkotike dhe ka probleme të shëndetit mendor.
Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






