Transmetuar më 25-12-2025, 09:58

Një stuhi e fuqishme dimërore goditi Kaliforninë në prag të Krishtlindjeve, duke shkaktuar përmbytje të gjera, rrëshqitje dheu, ndërprerje të energjisë elektrike dhe operacione shpëtimi, ndërsa autoritetet shpallën gjendje të jashtëzakonshme në gjashtë qarqe të shtetit.

Stuhia u intensifikua mbrëmjen e së martës dhe arriti kulmin gjatë orëve të para të së mërkurës, me autoritetet që paralajmëruan për kushte të rrezikshme në disa zona urbane dhe bregdetare. Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelosit njoftoi se një person u shpëtua pasi mbeti i bllokuar në një tub kullues pranë një lumi në veriperëndim të qytetit. Nuk u raportuan viktima, ndërsa personi po trajtohej për probleme shëndetësore.

Në të njëjtën kohë, disa rrugë në zonën metropolitane të Los Anxhelosit dhe qarqet përreth u mbyllën për shkak të përmbytjeve, ndërsa erërat e forta rrëzuan pemë dhe linja të energjisë elektrike, duke lënë mijëra banorë pa drita gjatë festave.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shpalli gjendje të jashtëzakonshme për qarqet Los Angeles, Orange, Riverside, San Bernardino, San Diego dhe Shasta, me qëllim aktivizimin e mekanizmave të mbrojtjes civile dhe mobilizimin e burimeve shtesë për përballimin e situatës.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se disa “lumenj atmosferikë” – breza të ngushtë, por shumë të ngarkuar me lagështi që vijnë nga Oqeani Paqësor – po përshkojnë Kaliforninë, duke rritur rrezikun për përmbytje të menjëhershme dhe rrëshqitje dheu, veçanërisht në zonat e prekura më herët nga zjarret.

Pikërisht këto zona mbeten ndër më problematiket, pasi toka është ende e paqëndrueshme. Autoritetet lëshuan urdhra evakuimi në disa pjesë të qarqeve Los Angeles dhe Orange, duke theksuar se rreth 380 banesa konsiderohen në rrezik të lartë. Drejtuesit e policisë dhe shërbimeve të emergjencës u bënë thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet shpejt.

Sipas meteorologëve, shpejtësia e erës arriti deri në 95 kilometra në orë në disa zona, ndërsa autoritetet vendosën barriera mbrojtëse dhe shpërndanë thasë me rërë për banorët në zonat më të ekspozuara. Garda Kombëtare e Kalifornisë është vënë në gatishmëri, ndërsa priten mbyllje të tjera rrugësh dhe vonesa në aeroporte gjatë një prej periudhave më të ngarkuara të udhëtimeve të vitit.

Parashikimet tregojnë se reshjet do të vazhdojnë edhe në orët në vijim, megjithëse me intensitet më të ulët, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për sigurinë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit