

Tiranë, 25 dhjetor 2025 Fundviti ka rikthyer ethet e udhëtimeve, me aeroportet që mbushen me valixhe dhe agjencitë turistike që nxjerrin ofertat e fundit për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. Për shqiptarët, zgjedhjet e këtij sezoni tregojnë një kombinim mes arratisjeve të shkurtra, vizitave në kryeqytete evropiane dhe një orientimi gjithnjë e më të dukshëm drejt destinacioneve më të largëta dhe luksoze.
Sipas të dhënave të publikuara nga agjencitë që operojnë në tregun vendas, kërkesa për udhëtime festive mbetet e lidhur ngushtë me paketat e organizuara. City break-et 3–4 ditore drejt kryeqyteteve evropiane vijojnë të jenë zgjedhja kryesore, me çmime që variojnë nga rreth 350 deri në 550 euro për person. Ndërkohë, paketat drejt Lindjes së Mesme, veçanërisht Dubai, arrijnë deri në 900 euro për person, kur përfshihen fluturimi dhe akomodimi në hotele 4–5 yje.
Nga ana e destinacioneve, nuk vihet re një rikthim i vetëm te vendet tradicionale. Vjena, Parisi dhe qytetet e mëdha të Evropës Perëndimore mbeten të preferuara për atmosferën festive dhe tregjet e Krishtlindjeve, por një pjesë e konsiderueshme e udhëtarëve shqiptarë po zgjedhin alternativa më të afërta. Stambolli vazhdon të jetë një destinacion i qëndrueshëm për shkak të aksesit të lehtë dhe ofertës kulturore, ndërsa qytete bregdetare të Ballkanit si Budva, Kotor dhe Dubrovnik po pozicionohen si zgjedhje të arsyeshme për një fundvit me më pak udhëtime ajrore dhe më shumë evente lokale.
Një tjetër prirje e dukshme këtë vit është orientimi drejt përvojave unike dimërore. Destinacione si Laplanda po tërheqin vëmendjen e një segmenti në rritje të udhëtarëve, edhe pse çmimet janë dukshëm më të larta. Paketat festive drejt veriut të Europës nisin nga rreth 1 mijë euro për person dhe mund të shkojnë deri në 2 mijë euro, në varësi të aktiviteteve të përfshira, si shikimi i dritave veriore.
Në të njëjtën kohë, interes ka pasur edhe për destinacione kulturore jashtë Evropës, si Kajro, i nxitur nga hapja e muzeut të ri që konsiderohet më i madhi në botë për një qytetërim të vetëm. Paketat për Egjipt për këtë periudhë nisin nga rreth 650 euro për person.
Sa i përket kostove, çmimet pasqyrojnë qartë sjelljen e konsumatorëve. City break-et evropiane mbeten më të përballueshme, ndërsa paketat “all inclusive” dhe ato drejt destinacioneve luksoze, si Dubai apo Maldive, arrijnë mbi 1,300 euro për person. Në anën tjetër, udhëtimet rajonale me autobus, si itineraret drejt Malit të Zi apo Dubrovnikut, ofrohen me çmime nga 100 deri në 200 euro, duke u kthyer në alternativa për buxhete më të kufizuara.
Agjencitë turistike raportojnë gjithashtu një ndryshim në mënyrën e prenotimit: shqiptarët po preferojnë gjithnjë e më shumë paketa të mbyllura, me guida në shqip dhe asistencë të plotë, për të shmangur surprizat logjistike gjatë periudhave të pikut. Paralelisht, një pjesë e udhëtarëve vazhdojnë të kombinojnë fluturimet low-cost me rezervime individuale, megjithëse kostot shtesë gjatë fundvitit shpesh e rrisin çmimin final.
Në prag të ndërrimit të viteve, operatorët turistikë presin rritje të udhëtimeve rajonale dhe arratisjeve të shkurtra, ndërsa pas 1 janarit pritet një diversitet edhe më i madh zgjedhjesh, nga pushimet dimërore në ski deri te destinacionet ekzotike. Kjo panoramë tregon se fundviti 2025 po e gjen tregun shqiptar të udhëtimeve më të larmishëm, më të strukturuar dhe me një prirje të qartë drejt përvojave të personalizuara.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






