Transmetuar më 25-12-2025, 07:52

Vatikan, 25 dhjetor 2025 Në Meshën e tij të parë të Krishtlindjeve si Papë, Leone XIV lëshoi një mesazh të fortë ndaj pabarazive globale, duke kritikuar një ekonomi që, sipas tij, “na çon t’i trajtojmë njerëzit si mallra” dhe duke theksuar se Zoti “dëshiron të bëhet njeri për të na çliruar nga çdo skllavëri”.

Gjatë homelisë së mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa theksoi kontrastin mes ambicies njerëzore për dominim dhe mesazhit të Krishtlindjes. “Ndërsa njeriu dëshiron të bëhet Zot për të dominuar të afërmin e tij, Zoti dëshiron të bëhet njeri për të na çliruar nga çdo skllavëri”, u shpreh Leone XIV, duke ngritur pyetjen nëse kjo dashuri është e mjaftueshme për të ndryshuar historinë.

Papa u ndal edhe te përqendrimi i pasurisë dhe pabarazitë ekonomike, tema që kanë qenë të pranishme shpesh në fjalimet e tij. Ai inkurajoi Kishën që të qëndrojë pranë më të varfërve dhe më të pambrojturve, duke kujtuar se emri që ka zgjedhur si Papë lidhet drejtpërdrejt me trashëgiminë e Leonit XIII, figurës që hodhi themelet e doktrinës moderne shoqërore të Kishës.

Në reflektimin e tij mbi lindjen e Jezusit, Papa theksoi se Krishtlindja është një dritë shprese për gjithë njerëzimin. “Nuk ka errësirë që ky yll të mos e ndriçojë”, tha ai, duke nënvizuar se aty ku nuk ka vend për njeriun, nuk ka as vend për Zotin. Ai rikujtoi fjalët e Papa Benediktit XVI, sipas të cilit mikpritja ndaj njeriut është thelbësore për të kuptuar mesazhin e besimit.

Duke iu referuar dhunës, shtypjes dhe vuajtjes së të varfërve, Leone XIV theksoi se Zoti nuk përgjigjet me forcë, por me dobësi dhe shpresë. “Përballë dhunës dhe shtypjes, Zoti ndez një dritë të butë që sjell shpëtim”, tha Papa, duke e paraqitur lindjen e një foshnjeje si përgjigjen hyjnore ndaj dramave të botës.

Në prag të përfundimit të Jubileut të Shpresës, Papa e përshkroi Krishtlindjen si një kohë mirënjohjeje dhe misioni, një festë besimi, bamirësie dhe shprese që i thërret besimtarët të bëhen lajmëtarë të paqes. “Pa pasur frikë nga nata, mund të përballemi me agimin e një dite të re”, përfundoi ai.

Mesha u ndoq nga mijëra besimtarë, rreth 6 mijë brenda Bazilikës së Shën Pjetrit dhe rreth 5 mijë jashtë saj, pavarësisht shiut. Në fillim të kremtimit, Papa zbuloi figurën e foshnjës Jezus në skenën e lindjes së Krishtit dhe mori një homazh me lule nga fëmijë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Ukrainën, në një gjest simbolik solidariteti dhe shprese.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit