

TIRANË, 24 dhjetor 2025 Universitetet shqiptare po përballen me një krizë të thellë regjistrimesh, teksa më shumë se 10 mijë vende studimi kanë mbetur bosh për vitin akademik 2024–2025. Ky është përfundimi kryesor i raportit më të fundit të Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), që analizon tendencat e regjistrimeve dhe cilësinë akademike të studentëve në rang kombëtar.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm 66.92% e kuotave të miratuara janë plotësuar, çka do të thotë se nga 32 177 vende të disponueshme në universitete, mbi një e treta kanë mbetur të paplotësuara. Raporti nxjerr në pah një prirje të qartë: studentët e regjistruar në institucionet e arsimit të lartë private kanë mesatare më të lartë krahasuar me ata që zgjedhin universitetet publike.
Statistikat tregojnë se studentët ekselentë përbëjnë vetëm 8.6% të totalit të të regjistruarve. Analiza gjinore dhe territoriale evidenton se femrat rezultojnë me notë mesatare më të lartë se meshkujt, ndërsa studentët nga zonat urbane kanë performancë akademike më të mirë krahasuar me ata nga zonat rurale.
Nga 593 programe studimi të ofruara në të gjithë vendin, vetëm pesë prej tyre janë plotësuar tërësisht, pa asnjë vend të lirë. Bëhet fjalë për Mjekësinë e Përgjithshme në Universitetin e Mjekësisë, si edhe për programet Financa, Infermieria e Përgjithshme, Informatika Ekonomike dhe Informatika në Universitetin e Tiranës.
Një tjetër shqetësim serioz lidhet me rënien e interesit për profesionin e mësuesit. Nga 21 547 studentë të regjistruar në vitin e kaluar akademik, vetëm 6.53% kanë zgjedhur programe studimi që lidhen me mësuesinë. Kjo tendencë, sipas studimit të Ministrisë së Arsimit, konfirmon krizën e interesit të të rinjve për këtë profesion jetik.
Megjithatë, raporti vëren se cilësia akademike e studentëve të mësuesisë mbetet relativisht e lartë. Ndërsa nota mesatare minimale për pranimin në këto programe është 7.5, më e lartë se 6.5 në programet e tjera të ciklit të parë, mesatarja e përgjithshme e studentëve të regjistruar në mësuesi rezulton 7.91.
Studentët me performancën më të mirë në këtë profil janë regjistruar në programin Informatikë në Universitetin e Tiranës, ndërsa mesatarja më e ulët konstatohet në programin e Gjeografisë.
Raporti i QSHA sinjalizon qartë nevojën për rishikim të politikave të arsimit të lartë, në një kohë kur auditorët po zbrazen dhe universitetet publike po humbasin konkurrencën përballë sektorit privat.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






