Transmetuar më 24-12-2025, 20:42

Australi, 24 dhjetor 2025 – Ishulli Hamilton, një nga destinacionet më të njohura turistike në Koralet e Mëdha të Australisë, i është shitur fondit amerikan të investimeve Blackstone për shumën prej 1.2 miliardë dollarësh. Marrëveshja u arrit me familjen Otley, pronare e resortit prej më shumë se dy dekadash, dhe mbetet në pritje të miratimit nga autoritetet rregullatore.

Blackstone, me seli në Nju Jork dhe pronare e zinxhirit të kazinove dhe hoteleve Crown Resorts, konfirmoi se synon të investojë në zhvillimin afatgjatë të ishullit, duke mbështetur bizneset lokale dhe komunitetin përreth. Kompania zotëron tashmë hotele dhe resorte luksoze në Japoni, Indi, Maldive, Sri Lanka dhe Shtetet e Bashkuara.

Familja Otley e cilësoi Ishullin Hamilton si një simbol kombëtar të turizmit australian, duke theksuar se ai mban një vend të veçantë në zemrat e shumë australianëve. Detari dhe prodhuesi miliarder i verës, Robert Otley, e bleu resortin në vitin 2003 për rreth 200 milionë dollarë, duke e shndërruar në një nga destinacionet më elitare të vendit.

Ishulli Hamilton ndodhet rreth 900 kilometra në veri të Brisbane dhe 500 kilometra në jug të Cairns, në bregdetin tropikal të Queensland. Resorti shtrihet në dy ishuj me një sipërfaqe totale prej 11.3 kilometrash katrorë, ku rreth 30% është e zhvilluar. Kompleksi përfshin pesë hotele, mbi 20 restorante dhe bare, 20 njësi tregtare, një fushë golfi në ishullin fqinj Dent, marinë turistike dhe aeroport privat.

Zhvillimi intensiv i Ishullit Hamilton nisi në vitet 1980, kur nga një destinacion i thjeshtë për pushues vendas, u shndërrua gradualisht në “ishullin tropikal të Australisë”, duke tërhequr vizitorë nga e gjithë bota.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit