Transmetuar më 24-12-2025, 18:08

Një ngjarje tragjike ka goditur emigrantët që përpiqeshin të kalonin Mesdheun qendror. Sipas organizatës humanitare Sea Watch, të paktën 116 persona kanë humbur jetën pas mbytjes së një anijeje të nisur nga brigjet e Libisë. Vetëm një person shpëtoi, duke u gjetur nga një anije peshkimi tuniziane.

Mjeti lundrues kishte nisur nga qyteti libian Zuwara të enjten e kaluar dhe dërgoi një sinjal SOS pak kohë pas nisjes. Avioni Seabird, i angazhuar për monitorimin e trafikut të emigrantëve në Mesdhe, nuk arriti ta lokalizonte anijen, duke ngritur menjëherë dyshimet për një tragjedi.

Organizata Alarm Phone ka rindërtuar ngjarjen, duke bërë me dije se mbytja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës së 19 dhjetorit. Nga informacioni i mbledhur, në bord ndodheshin 117 persona. Gjatë gjithë ditës së nisjes u tentua të merrej kontakt me anijen përmes telefonit satelitor, por pa sukses.

Dy ditë më vonë, më 21 dhjetor, disa peshkatarë tunizianë gjetën një të mbijetuar të vetëm në një varkë druri. Ai deklaroi se kushtet e motit u përkeqësuan ndjeshëm vetëm pak orë pas nisjes, me erëra që arritën deri në 40 km/orë, duke shkaktuar mbytjen e tragjedisë. Organizata Alarm Phone po përpiqet të verifikojë të dhënat e ngjarjes, por deri tani ato nuk janë konfirmuar plotësisht.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit