Transmetuar më 24-12-2025, 15:02

Tiranë- Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i kanë drejtuar një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për thirrjen e menjëhershme të mbledhjes së Këshillit lidhur me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në shkresën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, përfaqësuesit e PD-së kërkojnë që mbledhja të zhvillohet ditën e premte, më 26 dhjetor 2025, në orën 11:00, me rend dite vijimin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin ose heqjen e lirisë së Ballukut.

Sipas dokumentit, kërkesa e SPAK dhe ka të bëjë drejtpërdrejt me procedurat kushtetuese që Kuvendi duhet të ndjekë në rastet që përfshijnë deputetë apo funksionarë të lartë shtetërorë.

Demokratët kërkojnë gjithashtu që data, ora e mbledhjes dhe rendi i ditës t’u njoftohen zyrtarisht të gjithë anëtarëve të Këshillit, përfaqësuesve të Prokurorisë së Posaçme, si dhe vetë deputetes Belinda Balluku dhe përfaqësuesit të saj ligjor, me qëllim garantimin e të drejtës së mbrojtjes përpara Këshillit.

Në shkresë theksohet se thirrja e mbledhjes së Këshillit është detyrim ligjor, në rastet kur ajo kërkohet nga gjysma e anëtarëve të tij.

“Kur thirrja bëhet me kërkesë të 1/2 së anëtarëve, Kryetari i Kuvendit ka detyrimin të njoftojë rendin e ditës për anëtarët e tjerë dhe palët e përfshira në proces”, thuhet në dokument.

Në përfundim, demokratët i bëjnë thirrje Kryetarit të Kuvendit që të përmbushë detyrimin e tij ligjor dhe institucional, duke mos u kthyer – sipas tyre – në pengesë për drejtësinë.

Partia Demokratike reagoi më parë ndaj vendimit të kryeministrit Edi Rama për të shtyrë shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke e cilësuar këtë vendim si “akt puçist antikushtetues”.

“Edi Rama, në një akt puçist antikushtetues, njoftoi sot bllokimin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratën e selisë blu.

Sipas PD-së, Kryeministri ka urdhëruar ndërprerjen e shqyrtimit të kërkesës së SPAK-ut nga Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit, duke u bazuar në pritjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Partia Demokratike thekson se kjo ndërhyrje është “në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, të cilat parashikojnë që kërkesat e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të shqyrtohen dhe të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara ligjore”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit