

PORTUGALI – Një ngjarje e rëndë ka tronditur Portugalinë qendrore, ku një djalë 13-vjeçar me shtetësi britanike ka ndërruar jetë në famullinë e Casais, në komunën e Tomarit.
Sipas autoriteteve lokale, i mituri, i identifikuar si Alfie Hallett, u gjet me disa plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Në vendngjarje ndërhyri Garda Republikane Kombëtare (GNR), pas një alarmi për një situatë të dhunshme në familje.
Mediat britanike raportojnë se personi i dyshuar për ngjarjen ishte ish-partneri i nënës së djalit, i cili më pas humbi jetën gjithashtu.
Ngjarja ndodhi në fshatin Casais, rreth 90 milje në verilindje të Lisbonës.
Humbja e Alfie-t ka prekur thellë komunitetin lokal dhe botën e sportit. Klubi i basketbollit Sportivo Operário Cem Soldos, ku 13-vjeçari aktivizohej, i ka kushtuar një mesazh prekës në rrjetet sociale.
“Ekipi sot u bë më i varfër. Atleti ynë Alfie ndërroi jetë në moshën 13-vjeçare. Ai luajti ndeshjen e tij të fundit të shtunën, me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona. Pusho në paqe”, thuhet në mesazhin e klubit.
Autoritetet portugeze vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






