Transmetuar më 24-12-2025, 14:23

TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese, gjatë një konference për mediat të mbajtur në selinë e PD-së, në prag të vendimit që pritet të merret më 22 janar lidhur me çështjen që prek qeverinë dhe ministren Belinda Balluku.

Berisha deklaroi se dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese u kanë thënë miqve të tyre se kryeministri Edi Rama “ka marrë fund politikisht”, por sipas tij, pavarësisht këtij bindjeje, ata do të votojnë në favor të qeverisë për shkak të presioneve të forta që po ushtrohen ndaj tyre.

Sipas Berishës, gjyqtarët po përballen me “presion të jashtëzakonshëm” për të mbështetur vendimin në favor të mazhorancës, ndërsa ai i cilësoi ata si të nënshtruar ndaj pushtetit. Në deklaratën e tij, kryedemokrati u shpreh se këto presione do të ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u ngatërrua fillimisht me datën e vendimit, duke përmendur 18 janarin, ndërkohë që vendimi pritet të merret më 22 janar.

Po ashtu, kreu i opozitës paralajmëroi se në rast se Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favor të qeverisë, reagimi i opozitës do të jetë i fortë. Ai deklaroi se “populli opozitar” do të reagojë për mbrojtjen e lirisë dhe dinjitetit, duke nënvizuar se një vendim i tillë do të konsiderohej i diktuar politikisht.

Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimet politike të javëve në vijim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit