

TIRANË – Në prag të festave të fundvitit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), e drejtuar nga Belinda Balluku, ka pësuar një riformatim në nivelet e larta drejtuese. Me vendim të fundit, Ami Kozeli dhe Besjan Kadiu janë liruar nga detyra si zëvendësministra.
Megjithatë, të dy zyrtarët do të vijojnë angazhimin e tyre në institucionet në varësi të MIE-së. Sipas burimeve, Ami Kozeli është emëruar drejtor i ri i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), pas më shumë se dy vitesh në detyrën e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, post që e mbajti që prej qershorit 2023.
Ndërkohë, Besjan Kadiu do të vazhdojë të shërbejë si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një nga pozicionet kyçe në strukturën e dikasterit. Ai zëvendëson në këtë detyrë Viola Haxhiademin, pas një periudhe të shkurtër shërbimi si zëvendësministër.
Nga ana tjetër, Viola Haxhiademi është emëruar administratore e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Pas një karriere disa vjeçare në MIE, fillimisht si Drejtore Kabineti e ministres dhe më pas, që prej vitit 2019, si Sekretare e Përgjithshme, ajo zëvendëson në këtë post Erald Elezin.
Ndryshimet vijnë në një moment të ndjeshëm për sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, ndërsa pritet që strukturat e reja drejtuese të vijojnë punën për garantimin e projekteve strategjike dhe funksionimit normal të institucioneve në varësi të MIE-së.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






