

Fier- Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy drejtoreshat e Bashkisë Fier dhe drejtorin e DVKT-së Rajoni Jugor, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Në mesin e të pandehurve janë: A.H., Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës; A.C., Drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore; si dhe V.Ç., Drejtor i DVKT-së Rajoni Jugor.
Prokuroria bën me dije hetimet kanë zbuluar se drejtoresha e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës me inicialet A.H, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në sistemin e parkimit të Bashkisë, duke lejuar shmangien e detyrimeve tatimore në vlera të konsiderueshme.
Gjithashtu, ajo akuzohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të realizuar faturime fiktive dhe për të ulur vlerat e taksave për disa subjekte, përfshirë edhe manipulimin e përllogaritjes së taksave të një subjekti privat.
A.C., nga ana tjetër, ka lëshuar fatura mbi vlerën reale për disa subjekte dhe, pas ankesave të këtyre të fundit, ka ulur vlerat e taksave edhe më shumë se parashikimet e vendosura nga Këshilli Bashkiak. Ajo gjithashtu nuk ka marrë masat për fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve në administrimin e Bashkisë.
Ndërkohë, V.Ç. ka detyruar inspektorët të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar pa urdhër pune nga DPT, nuk ka kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe nuk ka mbikëqyrur fushatën sensibilizuese për subjektet e tjera.
Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dërgoi çështjen në gjyq në ngarkim të të pandehurve:
-A.H., e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 245/1 prg.3 të Kodit Penal;
-A.C., i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
-V.Ç., i akuzuar për veprën kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Prokuroria e Fierit thekson se angazhohet për vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






