

Lezhë- Gjykata e Lezhës ka dënuar me 17 vite e 8 muaj burg, në total, tre persona të marrë të pandehur në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit, mes të cilëve edhe vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Eduard Ndreca.
Armando Ndreca u gjet fajtor për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” dhe u dënua me katër vite e katër muaj burg. Ndërsa për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Lirim Bulica, e shpalli të pafajshëm.
Po ashtu, dy personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, Elvis Shpellzaj dhe Armel Nikdukaj, u dënuan me nga 6 vite e 8 muaj burg secili për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Të tre personat përfituan lehtësira nga gjykimi i shkurtuar dhe bashkimi i dënimeve. Ata u arrestuan nga Policia e Lezhës në muajin prill të vitit 2024, pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur një stan për kultivimin e drogës.
Nga ky ambient u sekuestruan 2 973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale, si dhe 3 aparate celularë.
Goditja e këtij rasti të kultivimit të bimëve narkotike erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Policia e Lezhës, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, e cila finalizoi operacionin.
Vendimi i gjykatës së Lezhës
Trupi gjykues për gjykimin e çështjen penale nr.332 të vitit 2024 i kryesuar nga gjyqtari Lirim Bulica, dhe me anëtar gjyqtare Irma Cacaj dhe Eglantina Biba vendosi që përfundimisht Elvis Shpellzaj të dënohet me 6
(gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim, Armel Nikdukaj me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim dhe Armando Ndreca me 4 (katër) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Elvis Shpellzaj për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283, pargrafi 2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Elvis Shpellzaj për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284, pargrafi 2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 6 (gjashtë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Elvis Shpellzaj për kryerjen e veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, parashikuar nga neni 137, paragrafi 2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në caktimin e një dënimi të vetëm për disa vepra penale, i pandehuri Elvis Shpellzaj dënohet me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i zbritet 1/3 e dënimit, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Elvis Shpellzaj me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit të fillojë nga data e arrestimit në flagrancë të tij dhe pjesa e pa vuajtur e dënimit të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Armel Nidukaj për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283, pargrafi 2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Armel Nidukaj për kryerjen e veprës penale “Kultivim i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284, paragrafi 2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 6 (gjashtë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Armel Nikdukaj për kryerjen e veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, parashikuar nga neni 137, pargrafi 2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në caktimin e një dënimi të vetëm për disa vepra penale, i pandehuri Armel Nikdukaj dënohet me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i zbritet 1/3 e dënimit, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Armel Nikdukaj me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Armando Ndreca për kryerjen e veprës penale “Kultivim i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284, pargrafi 2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 6 (gjashtë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Armando Ndreca për kryerjen e veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, parashikuar nga neni 137, pargrafi 2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Armando Ndreca për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283, pargrafi 2 i K.Penal.
Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në caktimin e një dënimi të vetëm për disa vepra penale, i pandehuri Armando Ndreca dënohet me një dënim të vetëm prej 6 (gjashtë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i zbritet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Armando Ndreca me 4 (katër) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit të fillojë nga data e caktimit të masës së sigurimit arrest në burg dhe pjesa e pa vuajtur e dënimit të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Bazuar në nenin 190 të Kodit të Procedurës Penale, lënda e narkotike e sekuestruar të asgjësohet.
Shpenzimet procedurale gjatë hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore të parapaguara nga shteti u ngarkohen solidarisht të pandehurve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






