

Tiranë, 24 Dhjetor 2025
Gjysma e të punësuarve me pagë në Shqipëri marrin deri në 52 mijë lekë neto në muaj, ose rreth 63,456 lekë bruto, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT për pagën mediane në tremujorin e tretë të vitit.
Paga mediane përfaqëson nivelin e pagës që ndan punëmarrësit në dy grupe të barabarta, ku 50% paguhen më pak dhe 50% më shumë se kjo vlerë. Ndryshe nga paga mesatare, ajo nuk ndikohet nga pagat shumë të larta ose shumë të ulëta dhe konsiderohet tregues më realist për pagën tipike që merr shumica e punonjësve.
Sipas INSTAT, paga mesatare mujore në tremujorin e tretë ishte rreth 83,300 lekë, ose 31% më e lartë se paga mediane, duke reflektuar diferenca të mëdha në shpërndarjen e pagave.
Të dhënat tregojnë se paga mediane mujore bruto ka ndjekur një rritje të qëndrueshme vitet e fundit, e ndikuar kryesisht nga rritja e pagës minimale. Në vitin 2021, ajo ishte rreth 40,600 lekë, ndërsa në vitin 2022 u rrit mbi 46,200 lekë. Rritja u përshpejtua në vitin 2023, kur mediana arriti në rreth 52,880 lekë në tremujorin e tretë.
Në vitin 2024, paga mediane u rrit më tej nga 55,200 lekë në 58,000 lekë, ndërsa në vitin 2025 arriti mbi 63 mijë lekë bruto, duke sinjalizuar një rritje më të shpejtë të pagave në segmentin e mesëm të tregut të punës, veçanërisht në administratën publike.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se rritja e pagave nuk është shoqëruar me rritje të njëjtë të fuqisë blerëse, pasi shtrenjtimi i qirave dhe i ushqimeve, sidomos në qytetet e mëdha, ka ndikuar negativisht në standardin e jetesës. Sipas të dhënave, në vitin 2024 Shqipëria regjistroi për herë të parë çmime mesatare të ushqimeve më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






