Transmetuar më 23-12-2025, 20:24

TIRANË- Kanë dalë detaje nga dosja hetimore e AKSHI-t, ku flitet dhe për rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, i cili ka treguar para hetuesve ngjarjen më të rëndë të jetës së tij, kur u mor peng.

Në dosjen që publikoi TV News24, Meçe tregon se personat që e ndaluan në parkingun poshtë pallatit të tij, teksa ai po drejtohej nga makina “Hyundai”, kishin të veshur jelek ngjyrë të verdhë me mbishkrimin BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit).

Ata e thirrën në emër dhe i thanë se ishin nga SPAK dhe se ai duhet të futej në makinën e tyre.

"Kur kam dalë nga pallati ku banoj, unë jam drejtuar për te makina ime ‘Hyundai’ që ka qenë e parkuar në krah të pallatit.

Në ecje e sipër duke u afruar te makina, hapa në distancë bagazhin ku vendosa aty çantën e shpinës dhe atë të dorës.

Në këtë moment pranë meje u afrua një automjet fuoristradë ‘Range Defender’, ngjyrë e zezë, me fenelina policie, me targa shqiptare, ku më vonë kam pare që targat e këtij automjeti janë AC121 JJ.

Makinë që ndërsa po vinte drejt meje unë aty fiksova një person që më thirri në emër, Gerond Meçe.

Personi ishte i gjatë, rreth 173 cm, me trup mesatar, me flokë të zeza, i veshur me uniformë ngjyrë blu me krah të gjata, si dhe jelek ngjyrë të verdhë me mbishkrimin BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit) i cili më thotë: “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”.

I gjendur në një situatë të panjohur për të dhe pa e çuar mendimin te e keqja që do t’i vinte më pas, Gerond Meçe rrëfeu se nuk bëri rezistencë.

Pranoi t’i bindej urdhërit të personit që mbante të stampuar në trup, në veshjen e tij, logon e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Duke besuar se në të vërtetë personi që e thirri dhe personat që ishin me të në makinë ishin pjesë e strukturave të posaçme të hetimit.

Gjë që në fakt nuk rezultoi kështu. Dhe nuk vonoi shumë që ta mësonte se ishte marrë peng nga një bandë keqbërësish, që kishin për qëllim, ose ishin urdhëruar ta bindnin kundrejt kërbaçit që të hiqte dorë nga ankimimet apo tendera ku merrte pjesë në AKSHI.

“Në atë moment besova që është SPAK dhe u binda pa krijuar pakënaqësi apo rezistencë për shkak se isha në oborrin e pallatit tim.

Pasi u afrova te kjo makinë, nga dera mbrapa doli një person i dytë i cili më hapi vendin që unë të futesha brenda i cili edhe ky nuk ishte i maskuar në fytyrë, por i veshur me bluzë si ato të policisë.

Ajo që kujtoj është se pasi personi i parë me bluzën e BKH më thirri, unë shtypa butonin e bagazhit të makinës sime i cili automatikisht filloi të mbyllej.

Gjatë kësaj kohe, pasi u futa në makinën e personave që më ndaluan, aty në krahun tim të majtë u fut edhe një person i tretë, i cili edhe ky mbante veshje si të policisë, që jam në gjendje ta identifikoj lehtësisht, pasi ishte pa maskë.

Ndërkohë që dy personat që kanë qenë mbrapa me mua, kishin tatuazhe në pjesën e jashtme të dorës së djathtë, ndërsa personi i tretë kishte një tatuazh bardh e zi në të gjithë parakrahun.

Këtu në këtë moment shoferi i cili ishte me maskë, i folit njërit prej personave që të merrte dy çantat e mia në bagazhin e makinës sime.

Gjë të cilën ai e bëri dhe pasi i mori i futi në makinën ku ndodheshim ne.

Me t’u ngjitur në makinë, siç e kërkon çdo procedurë normale në të tilla, Gerond Meçe, tha se u kërkoi punonjësve të BKH-së dhe të policisë, shkresën me të cilën po e shoqëronin.

Ende pa e kuptuar se e gjithë kjo ishte një lojë për ta futur atë në kurth pa bërë zë dhe pa ngritur alarmin, në një orë dhe në një vend, që ndodhej vetëm pak hapa larg banesës së tij.

Por ende pa u nisur mirë ai rrëfeu se pa shkresë ndalimi apo shoqërimi, personat në makinë i vendosën prangat pa i dhënë shpjegime.

Pasi më futën brenda, unë i pyeta: ‘Keni ndonjë letër, nëse po, ju lutem ma jepni?’

Por ai që ishte në vendin e parë të pasagjerit, më tha që jam i arrestuar, dhe urdhëroi personin e dytë në të djathtën time që të më vendosë prangat.

Unë ndërkohë insistova përsëri që të më japin letrat, dhe se duhet të telefonoja në familje. Letra të cilat personi i ulur në vendin e parë të pasagjerit, më tha se do m’i jepnin në komisariat. Ndërkohë që makina filloi të lëvizë për të dalë nga oborri i pallatit”, mësohet të ketë thënë Gerond Meçe para hetuesve.

Sipas rrëfimit të mëtejshëm të dhënë nga Gerond Meçe në SPAK, këtu filloi edhe dyshimi i tij i parë se personat në makinë, nuk kishin lidhje me policinë dhe me BKH-në.

Edhe pse ai nuk ishte ende i bindur për këtë fakt.

Mënyra e sjelljes dhe mungesës së profesionalizmit nga ana e tyre, nisi të bluajë mendimin te ai se kishte të bënte me njerëz jo të lidhur me zbatimin e ligjit.

Kjo edhe nga mënyra se si njëri prej tyre nuk dinte as të vendoste prangat.

“Fakti që personi i dytë nuk dinte të më vendoste prangat, dhe ndërhyri personi tjetër në krahun tim, më bëri të dyshoj që ndryshe nga sa u prezantuan këta nuk ishin punonjës të ligjit.

Gjatë këtij momenti unë u thashë: ‘O çuna unë nuk jam kriminel’.

Ndërsa personi i dytë m’u hakërrye duke më thënë: ‘Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!!’

Pikërisht në këtë moment shoferi u tha të më vinin kapuçin në kokë”, thuhet në dosjen hetimore.

Është pikërisht ky momenti kur Gerond Meçe thotë se tashmë kuptoi se kishte të bënte me një bandë keqbërësish.

Por pa ditur ende qëllimin e tyre.

Ndërkohë që ai nuk kishte asnjë mundësi të kërkonte ndihmë.

As kur nga dritarja pa babain e tij të kalonte pranë makinës që e kishte rrëmbyer.

Një skenë e dhimbshme, e cila do të prekte çdo kënd që do ta dëgjonte.

“Kur po dilnim nga parkingu i oborrit unë pashë babain tim dhe në atë moment personat që ishin në krahët e mi në makinë më vendosën një kapuç të zi në kokë.

Aty kuptova që këta personat nuk janë nga SPAK-u. Por ndërkohë që makina ndaloi në semafor, dhe unë mendova se do të ecte drejt, automjeti devijoi dhe unë aty i pyeta personat në makinë se në cilin komisariat do më çonin. Përgjigje që e mora nga personi i parë i cili më tha: “Në komisariatin më të afërt”, thotë Meçe.

Nga sa ai kuptoi më tej komisariati më i afërt ishte jashtë Tiranës.

Edhe pse fillimisht nuk e dinte se ku.

Duke u lutur që e gjitha kjo histori të mos kishte një fund të keq.

Një fund që më herët e kishin pasur edhe shumë të tjerë, sot të zhdukur pa gjurmë.

Dosja e SPAK për AKSHI-n, Meçe tregon orët e rrëmbimit: Më thanë do të vrasim ty, grua, motër e nënë nëse bën denoncime

Dosja e SPAK për AKSHI-n, Meçe tregon orët e rrëmbimit:

Bëhet publike një pjesë e dëshmisë së biznesmenit ditën e djeshme, mirëpo dëshmia e tij është e gjatë, ku tregon edhe rrethanat e reëmbimit dhe kërcënimet e bëra në adresë të tij.

Biznesmeni është marrë në në pyetje nga Prokurorët e SPAK më 22 gusht 2025 ku ka treguar me detaje se çfarë ka ndodhur në 6 orë rrëmbim.

Vetë Meçe tregon se kanë qenë 4 persona, të cilët janë shtirur sikur ishin agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai tregon se fillimisht i ka besuar, pasi i janë drejtuar duke i thënë “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”.

Meçe tregon më tej se në këtë moment nga dera mbrapa ka dalë një person i dytë i cili i ka hapur vendin për t’u futur brenda, nuk ka qenë as ky i maskuar në fytyrë por ishte pak si i shëndoshë, veshur me bluzë si ato të policisë.

Më pas biznesmeni ka parë brenda në makinë që ky person ka patur të veshura xhinse të zeza. Në atë moment ka hyrë edhe personi i tretë në makinë nga krahu i majtë i tij, i cili kishte veshje të njëjtë me personin e dytë, me xhinse të zeza dhe me bluzë si ato të policisë, i shëndoshë por pa maskë, fytyrë e rrumbullakët, të cilin është në gjendje ta identifikojë lehtësisht.

“Dy personat që kanë qenë mbrapa me Gerondin (personi dy dhe personi tre) kanë qenë me tatuazhe, personi i dytë ka patur tatuazh në pjesën e jashtme të dorës së djathtë, midis gishtit të madh dhe gishtit tregues, tatuazh me formë si ajo e germës “b” në krahun e kundërt, e pambyllur plotësisht dhe diku nga mesi kishte një pikë. Personi i tretë, në parakrahun e darës së majtë ka komplet parakrahun tatuazh bardh e zi”, thuhet në dosjen hetimore të siguruar nga gazeta TemA.

Në makinë ndërkohë ishte dhe një person i katërt, shoferi i automjet “Range Defender”. Ndryshe nga tre të parët, ky ishte i maskuar. Ai urdhëron një prej pengmarrësve që të merrte dy çantat, të cilat Gerond Meçe sapo i kishte futur në bagazhin e makinës së tij.

Në momentin që merren çanta, Meçe pyet: Keni ndonjë letër, ju lutem ma jepni? Personi i parë, që ishte në vendin e pasagjerit para, i thotë që është i arrestuar dhe urdhëron personin mbrapa në të djathtë të Gerondit t’i vinte prangat.

Meçe i thotë se duhet të telefonojë në familje. “Personi i parë i thotë që letrat do ia japin në komisariat, ndërkohë që makina lëviz për të dalë nga oborri i pallatit. Personat mbrapa tentuan të vënë prangat, por fakti që personi i dytë nuk dinte t’i vinte prangat dhe ka ndërhyrë personi i tretë, ka bërë që deklaruesi të dyshojë që këta nuk ishin punonjës siç u prezantuan”, thuhet në dosje.

Në momentin që po vinin prangat Gerond Meçe u thotë “o çuna unë nuk jam kriminel”.

Personi i dytë thotë “Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!!”, ndërkohë që shoferi u thotë vini kapuçin. Kur po dilnin nga parkingu i oborrit ka parë babain e tij dhe në atë moment i kanë vënë kapuçin e zi në kokë. Ka kuptuar që personat nuk janë nga SPAK-u. Makina për punë sekondash ndalon në semafor, Meçe mendon që do ecte drejt, ndërkohë që makina devijon majtas, ai i pyet se “në cilin kamisariat do më çonin”. Personi i parë i thotë “në kamisariatin më të afërt”.

Edhe pse personat që kishte para komunikonin me zë të ulët, Gerond Meçe e kupton që në fakt atë po e nxirrnin jashtë Tiranë dhe jo në komisariat.

“Çuna e mora vesh se çfarë jeni…unë jam në moshë dhe kam probleme me zemrën, kapuçi që kam në kokë më pengon frymëmarrjen”, u thotë ai.

Pasi kalojnë zonën e Astirit rrëmbyesit ia heqin kapuçin. Njëri prej tyre mundohej t’ia mbante kokën ulur poshtë, por ai kishte arritur ta shikonte itinerarin e rrugës. Destinacioni ishte Elbasani, jo nga autostrada por nga rruga e Kërrabës.

Ishte ora 11:20 kur janë gjendur në një shesh të madh, afër fshatit Gracen, pa zbritur në qytetin e Elbasanit.

I thonë të dalë jashtë nga makina dhe me insistim i kërkojnë kodin e telefonit, ai refuzon dhe në këtë moment vjen shoferi dhe e godet me shpulle. Marrin celularin, ia vendosin te gishti dhe arrijnë ta zhbllokojnë.

Menjëherë e kalojnë telefonin në “airplane mode”. Kjo mbase pasi gjatë rrugës celulari i biznesmenit kishte rënë pa pushim.

“Ne po të kërkojmë të bashkëpunosh, jo si me passëord-in, se në të kundërt ke plumbin në kokë”, i thotë njeri prej të pengmarrësve që në makinë kishte ndenjur në vendin e pasagjerit, teksa i tregonte armën që kishte në brez.

Tjetri nxjerr pistoletën nga brezi, fuste dhe nxirrte karikatorin, duke i thënë “do bashkëpunosh apo si e ke”.

“Ore për çfarë të bashkëpunoj?!”, pyet Gerond Meçe.

Personi i parë, i veshur me jelek me mbishkrimin BKH (të cilin tashmë e kishte hequr) shkon te makina dhe merr një zarf të bardhë, e hap dhe i tregon një tabelë exel, që tregonte tenderat, që biznesmeni kishte ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Ata e pyesin “E njeh këtë letër”? Fillimisht i thotë jo por e kupton se për çfarë bëhet fjalë.

“Janë tendera që ti ke ankimuar dhe duhet të tërhiqesh, nuk kemi punë me lekët e tua, i gëzofsh ato”, i thonë pengmarrësit

“Nuk behet kështu kjo punë, sepse edhe po u be, u prish pune me shume juve sesa mua”, i përgjigjet ai.

“Ndërkohë Gerondi mundohet t ‘u mbushe mendjen qe nuk behet në këtë moment tërheqja, duke u sjelle ne vëmendje se nuk është me administrator, por po u kërkonte kompromis qe do ta bënte ditën në vijim nëse e lironin”, thuhet në dosje.

Biznesmeni u ka treguar agjentëve të BKH-së në SPAK, se përmes telefonit të tij ata kanë marrë administratorin kompanisë “ABS”, Shkëlqim Kërluku, ndërsa dyshon se një person i pestë ishte afruar me një makinë Volvo në vendin e ngjarjes.

Ata e kanë futur në makinë, i kanë kthyer telefonin, dhe e kanë lejuar të flasë me gruan dhe të tjerët që e merrnin.

Ora kishte shkuar 15:10 dhe në këtë moment pengmarrësit e konfirmojnë që në asnjë komisarit nuk kishte denoncim nga familjarët e Meçes. Presin edhe 1 orë e 20 minuta, futen në makinë në pozicionet siç ishin në fillim.

Pas 6 orësh pengmarrje, e zbresin të rrethrrotullimi që të çon direkt për në autostradën Tiranë-Elbasan, në afërsi të Bradasheshit, dhe i thonë “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundër do të vrasim ty, grua, motër, nënë. Se baba ti nuk ke”.

Ky ishte kontakti i fundit që Gerond Meçe thotë se pati me pengmarrësit e tij, ndërsa denoncim thotë se nuk bëri sepse nëndrejtori i policisë së Tiranës Erion Ismaili, kohë më parë, nëpërmjet një personi që thotë se nuk i kujtohet, i kishte kërkuar të qëndronte sa më larg nga AKSHI-i.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit