Transmetuar më 23-12-2025, 18:18

Pas dy vitesh hetime, Prokuroria e Sarandës ka hedhur dritë mbi një nga ngjarjet më të rënda kriminale të vitit 2023. Hetimet kanë identifikuar autorët e dyshuar dhe rolet e tyre konkrete në rrëmbimin dhe zhdukjen e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit, duke çuar tre persona përpara gjykatës. Dosja zbardh dinamikën e ngjarjes, veprimet pas rrëmbimit dhe pistat që po ndiqen ende për gjetjen e dy personave të zhdukur.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq tre persona në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Leonard Thodhorit 46 vjeç dhe Fatmir Sulovarit, ngjarje e ndodhur në vitin 2023.

Në gjyq janë dërguar shtetasit Albi Mecini, Sebastian Lataj dhe Sofokli Baxherri, ndaj të cilëve rëndojnë akuza për disa vepra të rënda penale.

Sipas Prokurorisë, në përfundim të hetimeve të procedimeve penale nr. 169/2023 dhe 369/2025 (i ndarë nga procedimi nr. 169/2023), është vendosur dërgimi për gjykim i çështjes penale me këto akuza konkrete:

Albi Mecini, i dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, parashikuar nga nenet 109/3 dhe 25 të Kodit Penal;

Sebastian Lataj, i dyshuar për veprën penale “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal;

Sofokli Baxherri, i dyshuar për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, parashikuar nga neni 141/a/2 i Kodit Penal.

Ngjarja lidhet me rrëmbimin e shtetasve Leonard Thodhori (L.Th.) dhe Fatmir Sulovari (F.S.), të cilët rezultojnë ende të zhdukur.

Prokuroria e Sarandës bën me dije se hetimet vijojnë, si për gjetjen e dy personave të rrëmbyer, ashtu edhe për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit