Transmetuar më 23-12-2025, 14:37

Prokuroria e Posaçme ka nisur komunikimin e akuzave në prag të mbylljes së hetimeve dhe dërgimit të dosjes në gjykatë për dy ish-prokurorë.

Kledian Llaho akuzohet për korrupsion, ndërsa ish-prokurori tjetër, Çlirim Shahini, që ushtron profesionin e avokatit, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Ish-prokurorët e Sarandës dyshohen se u përfshinë në një aferë korrupsioni për zbutjen e masës së sigurimit ndaj shtetasit Pando Papuçi, i cili ishte shpallur në kërkim për ndërtim pa leje.

Ky i fundit, pasi arriti t’i shmangej drejtësisë për dy vite, u arrestua dhe doli para gjykatës për vlerësimin e masës e cila u gjykua dhe u ndryshua brënda 1 ore nga gjyqtarja Edona Vajushi me kërkesë të prokurorisë.

Dyshohet sipas SPAK, se ish-prokurorët i kanë kërkuar para Pando Papuçit në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore, me qëllim zbutjen e masës së sigurimit ndaj tij.

Këto veprime, të dokumentuara nga organi i akuzës, provojnë ekzistencën e një skeme korrupsioni të organizuar, ku funksionarë të drejtësisë kërkonin përfitime monetare për favorizim në trajtimin e çështjeve penale.

Llaho, sipas prokurores Manjola Kajana, dyshohet se ka marrë 30 mijë euro nga miku i tij, biznesmeni Vasil Bakalli. Ky i fundit provohet se vlerat monetare i ka marrë në shtetin grek.

Ndërsa prokurori i Papuçit, ish-prokurori Çlirim Shahini, provohet se ka marrë 25 mijë euro në këmbim që t’i kërkonte gjykatës masën “detyrim paraqitje”, ndërsa në total dyshohet se janë paguar 55 mijë euro për një masë sigurimi.

Llaho e kërkoi këtë masë në gjykatë dhe ajo u miratua nga gjyqtarja Edona Vajushi, por për këtë të fundit nuk u provua akuza. Nën akuzë është edhe biznesmeni Vasil Bakalli për korrupsion, i cili dyshohet se ka luajtur rolin e sekserit me prokurorin Llaho.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit