

Vlorë, 23 Dhjetor 2025
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur gjatë kontrolleve për lirimin e hapësirave publike. Në pranga kanë rënë Irfan Dalipaj, 58 vjeç, si dhe dy djemtë e tij, Drisild Dalipaj, 27 vjeç, dhe Fabio Dalipaj, 23 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në rrethrrotullimin e Nartës, ku të arrestuarit ushtronin aktivitet të shitjes së automjeteve dhe lavazhos. Gjatë ndërhyrjes së strukturave të Bashkisë Vlorë për heqjen e një tende dhe lirimin e hapësirës publike, ata kanë kundërshtuar veprimet duke ushtruar dhunë fizike ndaj Drejtorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Vlorë, D. K., 33 vjeç.
Në momentin që punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor kanë ndërhyrë për të ndaluar konfliktin, autorët kanë vijuar dhunën edhe ndaj efektivëve të policisë, duke u shkaktuar atyre dëmtime trupore. Për të neutralizuar situatën, një prej punonjësve të policisë ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit, pa shkaktuar lëndime.
Punonjësit e policisë të përfshirë në incident janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Tre të arrestuarit po procedohen penalisht për veprat penale “Dhuna ndaj punonjësve të Policisë” dhe “Plagosje e rëndë me dashje”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






