Transmetuar më 23-12-2025, 11:06

Mazhoranca është tërhequr nga kërkesa fillestare për masa të ashpra disiplinore ndaj opozitës, duke vendosur përjashtimin vetëm për 6 deputetë të Partisë Demokratike, dhe jo për 29 sa ishte kërkuar fillimisht, raporton noa.al. Ky ndryshim vjen pak orë pasi PD mblodhi në protestë para Kryeministrisë një numër të madh pjesëmarrësish.

Sekretariati i Etikës në Kuvend u mblodh këtë të martë në orën 10:00 për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste, e cila lidhej me tensionet dhe kaosin e krijuar gjatë seancës plenare të 18 dhjetorit, ditë në të cilën u betua Avokati i ri i Popullit, Endri Shabani. Opozita kishte shkaktuar ndërprerje dhe përplasje në sallën e Kuvendit.

Fillimisht, PS kishte kërkuar masa disiplinore që varionin nga 10 deri në 60 ditë pezullim për 29 deputetë të opozitës, të cilët, sipas mazhorancës, ishin të përfshirë në konfliktet fizike dhe bllokimin e punimeve parlamentare. Gjatë mbledhjes, u paraqitën materiale filmike dhe fotografi që, sipas socialistëve, dokumentonin incidentet në seancën e kaluar.

Mbledhja e Sekretariatit të Etikës u shoqërua me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi që të shiheshin provat konkrete dhe akuzoi mazhorancën se po tenton të përjashtojë opozitën pa arsye.

“Na keni quajtur grup të strukturuar kriminal. Në fakt, grup i strukturuar jeni ju. Po përjashtoni opozitën pa asnjë arsye, ndërkohë që na kërkoni standarde sjelljeje që vetë nuk i respektoni,” u shpreh Bardhi gjatë diskutimeve.

Drejtuesi i mbledhjes, Ulsi Manja, ndërpreu seancën për konsultime dhe më pas njoftoi vendimin përfundimtar. Ai bëri me dije se Sekretariati i Etikës ka vendosur pezullimin për 30 ditë pune vetëm për 6 deputetë të PD-së, duke u tërhequr nga masa e gjerë ndaj 29 deputetëve.

Sipas Manjës, deputetët e përjashtuar për një muaj janë Flamur Noka, Elda Hoti, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Klevis Balliu dhe Vjollca Vokshi, për të cilët u vlerësua se kishin rol aktiv në përplasjet e seancës së fundit plenare.

Vendimi pritet të reflektojë një ulje të tensioneve, ndërsa debati politik mes mazhorancës dhe opozitës vijon të mbetet i fortë brenda dhe jashtë Kuvendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit