Transmetuar më 23-12-2025, 07:58

Nga Nimrod Novik / The New York Times

Në Siri, Izraeli ndërmerr inkursione të shpeshta ushtarake, ndërsa kërkon çmilitarizimin e të gjithë zonës midis Damaskut dhe Lartësive të Golanit, ngjitur me kufirin verilindor të Izraelit. Në të njëjtën kohë, ai mban nën kontroll atë që e konsideron një zonë sigurie brenda territorit sirian.

Rripi i Gazës mbetet pika më e rrezikshme e shpërthimit. Vetoja e zotit Netanyahu ndaj çdo roli të Autoritetit Palestinez në Rrip rrezikon të zhbëjë planin 20-pikësh të zotit Trump që prodhoi marrëveshjen e armëpushimit në tetor. Kundërshtimi i tij nuk ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Ka gjithçka të bëjë me kërcënimin e aneksionistëve mesianikë, me të cilët ai zgjodhi të qeverisë, se do të largohen nga koalicioni nëse ai pranon një rol të A.P.-së në Gaza — gjë që do t’i jepte fund kryeministrisë së tij.

Plani i Trump parashikon një forcë ndërkombëtare stabilizimi si domosdoshmëri për çarmatosjen e Hamasit, mundësimin e tërheqjeve të mëtejshme izraelite, mbrojtjen e komitetit civil që do të qeverisë Rripin dhe sigurimin e procesit pasues të rindërtimit. Megjithatë, vendet arabe dhe kryesisht myslimane që mund të kontribuojnë trupa në këtë forcë e konsiderojnë përfshirjen e Autoritetit Palestinez thelbësore, sado simbolike të jetë ajo fillimisht.

Pa këtë përfshirje, forca do të shihet nga popullsitë e vendeve kontribuese të stabilizimit, si edhe nga shumë njerëz në botën arabe dhe në Gaza, thjesht si zëvendësim i një pushtimi — atij izraelit — me një tjetër. Vetëm një ftesë nga Autoriteti Palestinez, dhe përfshirja e tij që në fillim, mund të sigurojë legjitimitet. Shtetet arabe e shohin gjithashtu përfshirjen e autoritetit si një hap drejt ribashkimit të Gazës dhe Bregut Perëndimor, një parakusht për një zgjidhje me dy shtete.

Faza 2 e planit të Trump — çarmatosja e Hamasit, tërheqja e plotë e Izraelit nga gjysma e Gazës që ende kontrollon, rindërtimi, ngritja e forcës së stabilizimit — ka ngecur pa pjesëmarrjen arabe. Ndërkohë, armëpushimi, që është në zemër të Fazës 1, është në rrezik. Përplasjet e përditshme e kërcënojnë atë, ndërsa 2 milionë banorë të Gazës durojnë kushte çnjerëzore.

Zyrtarët izraelitë i kanë pritur njoftimet optimiste të Uashingtonit për afërsinë e Fazës 2 me skepticizëm, cinizëm dhe me qëndrimin “Nëse ne nuk e çarmatosim Hamasin, askush nuk do ta bëjë” — kod për gatishmërinë për të rifilluar luftën. Me kthimin në shtëpi të pengjeve izraelite të gjalla dhe të gjitha përveç njërit prej pengjeve të vdekur, është hequr një nxitje e rëndësishme për Izraelin që të përmbushë detyrimet e tij të Fazës 1.

Duke ndjerë se përshkallëzimi izraelit kërcënon të gjithë arkitekturën e tij rajonale, zoti Trump ndërhyri. Në një telefonatë më 1 dhjetor, ai raportohet se i kërkoi zotit Netanyahu “të tregojë kujdes” në Siri. Zoti Netanyahu u përgjigj me gjeste të menduara për të sinjalizuar “të dëgjoj”, pa ndryshuar realisht politikën.

Në këtë frymë, ai pranoi rihapjen e pikëkalimit Rafah drejt Egjiptit, një nga kalimet kryesore për hyrje-dalje nga Gaza, por vetëm në një drejtim: ka dalje, por jo kthime dhe as transit ndihmash humanitare, të gjitha në kundërshtim me atë që parashikohet në planin e Trump, i cili kërkonte lëvizje në të dy drejtimet për njerëzit dhe ndihmën humanitare.

Për Libanin, zoti Netanyahu uli tonet për një përshkallëzim të afërt dhe dërgoi një lidhës civil me mandat të ngushtë ekonomik. Për Sirinë, qeveria izraelite pretendoi se një marrëveshje ishte e mundur — nëse plotësoheshin kërkesat maksimale të sigurisë së Izraelit.

Këto lëshime të pakta mund të shpjegojnë pse zoti Trump kërkoi një takim ballë për ballë me zotin Netanyahu, i gjashti i mandatit të tij të dytë.

Gjatë vitit të kaluar, sa herë që udhëheqësit e Lindjes së Mesme i paraqitën zotit Trump një front të bashkuar, një plan të zbatueshëm dhe gatishmërinë për të bërë pjesën më të madhe të punës së rëndë duke i dhënë atij meritat për suksesin, ai veproi. Në prag të inaugurimit të tij, ata ofruan të siguronin pëlqimin e Hamasit për një armëpushim nëse zoti Trump siguronte pëlqimin e zotit Netanyahu. Ai e bëri. Në mars, ata mbështetën një plan egjiptian rindërtimi që e la mënjanë fantazinë e zotit Trump për “Rivierën e Gazës”. Ai pranoi. Në korrik, një nismë saudito-franceze lidhi stabilizimin e Gazës me negociata më të gjera izraelito-palestineze dhe integrim rajonal. Këto elemente u përfshinë në planin e tij 20-pikësh.

Mund të ndodhë sërish. Partnerët arabë, evropianë dhe të tjerë duhet t’i paraqesin Shtëpisë së Bardhë një listë të shkurtër ndryshimesh të politikës izraelite thelbësore për zhbllokimin e Fazës 2. Kjo listë mund të përfshijë pranimin e përfshirjes së A.P.-së dhe tërheqje të mëtejshme izraelite që korrespondojnë me çarmatosjen graduale të Hamasit. Mund të përfshijë gjithashtu rritjen e ndihmës humanitare dhe rihapjen e Rafahut në të dy drejtimet, si edhe miratimin e një liste, të mbikëqyrur nga egjiptianët, të teknokratëve palestinezë të paangazhuar që do të shërbejnë në komitetin që do të qeverisë Gazën.

Që zoti Trump të pranojë t’ia imponojë këto kushte zotit Netanyahu, ai do të duhet të dëgjojë një mesazh të qartë nga këta udhëheqës: “Nëse ju e bindni zotin Netanyahu, ne do ta bindim Hamasin. Nëse Izraeli i përmbahet kushteve të planit tuaj të paqes, ne zotohemi për kontribute në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe në fondin e rindërtimit të Gazës.”

Zgjedhja përballë presidentit tani është e qartë: ose të imponojë disiplinë ndaj aleatit më të afërt rajonal të Amerikës, ose të shohë një arkitekturë të brishtë që shembet nën peshën e përshkallëzimit gradual të zotit Netanyahu. Dritarja për të shmangur një tjetër përplasje po ngushtohet. /përktheu noa.al

* Nimrod Novik ishte këshilltar politik dhe i dërguar i posaçëm i kryeministrit Shimon Peres të Izraelit. Ai është anëtar i Israel Policy Forum dhe pjesë e udhëheqjes së Commanders for Israel’s Security.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit