

TIRANË, 22 dhjetor 2025 Protesta e opozitës e zhvilluar mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë u shoqërua në orët e fundit me episode tensioni, pasi një grup protestuesish hodhën mjete ndezëse, lëndë piroteknike dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit.
Si pasojë e shpërthimit të mjeteve ndezëse, mbetën të plagosur dy punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët morën ndihmë mjekësore, si edhe një qytetar. Burimet zyrtare bëjnë me dije se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.
Pas përfundimit të protestës, në zonën përreth godinës së Kryeministrisë kanë mbërritur efektivë të Policisë Kriminalistike, të cilët kanë nisur punën për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e dëmeve të shkaktuara.
Sipas informacioneve paraprake, incidentet ndodhën pas fjalimeve të përfaqësuesve të opozitës, në momentin kur një pjesë e protestuesve thyen kordonin metalik të vendosur përpara Kryeministrisë.
Policia e Shtetit ka nisur verifikimet për identifikimin e personave përgjegjës, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin aktet e dhunës dhe të respektojnë rendin publik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






