

TIRANË, 22 dhjetor 2025 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas përfundimit të fjalimit në protestën e opozitës, ka bërë një xhiro në bulevard, ku është ndalur për të përshëndetur dhe falënderuar protestuesit, të cilët i cilësoi si “luftëtarë të lirisë” dhe “misionarë”.
Në një prononcim për mediat, Berisha u shpreh se kishte dalë për të shprehur mirënjohjen ndaj qytetarëve që, sipas tij, po mbajnë gjallë kauzën e opozitës dhe po qëndrojnë në mbrojtje të demokracisë.
“Thashë të bëj një xhiro këtu te luftëtarët e lirisë, sepse këta janë luftëtarë, janë misionarë. Dola t’u shpreh mirënjohjen time dhe t’i mbështes”, u shpreh Berisha.
Ai e cilësoi protestën si historike, duke vënë theksin te pjesëmarrja dhe mbështetja e gjerë qytetare.
“Protesta ishte historike, jashtëzakonisht e kënaqshme. Pjesëmarrja dhe mbështetja ishin historike. Opozita tani ka vetëm një rrugë përpara: betejën”, deklaroi kreu i PD-së.
Gjatë prononcimit të tij, Berisha komentoi edhe zhvillime të fundit politike dhe akuza për afera financiare, duke theksuar se, sipas tij, bëhet fjalë për shuma të mëdha parash dhe skandale të paprecedenta.
Protesta e opozitës u zhvillua mbrëmjen e sotme në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve nga zona të ndryshme të vendit, ndërsa drejtuesit opozitarë kanë paralajmëruar vijimin e aksionit politik në ditët në vijim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






