

TIRANË, 22 dhjetor 2025 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti mbrëmjen e sotme një fjalim të fortë politik gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën dhe se, sipas tij, ka çuar vendin drejt një krize të thellë politike, shoqërore dhe demografike.
Berisha deklaroi se gjatë dekadës së fundit Shqipëria ka përjetuar një rënie të ndjeshme të popullsisë, duke e lidhur këtë fenomen me qeverisjen aktuale dhe largimin masiv të qytetarëve nga vendi.
“Në 10 vitet e fundit, shqiptarët janë pakësuar më shumë se nga çdo epidemi apo fatkeqësi tjetër. Është goditur rëndë lindshmëria dhe është humbur mbi gjysma e rinisë së vendit”, u shpreh Berisha para mijëra protestuesve.
Kreu i opozitës akuzoi kryeministrin se ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale dhe se ka përdorur pasuritë publike për përfitime personale.
“Sot del se ka vendosur me paratë tuaja të bëhet multimiliarder, me pasuritë tuaja publike. Jo vetëm kaq, por ka vendosur veten mbi ligjin dhe Kushtetutën, mbi çdo pushtet, duke u thënë qytetarëve se i shumëzon me zero”, deklaroi ai.
Në kulmin e fjalimit, Berisha iu drejtua drejtpërdrejt Edi Ramës me një mesazh të ashpër politik, duke përdorur një gjuhë simbolike.
“Hidhi sytë nga ky bulevard. Nga sot, ti nuk do të njihesh më si kryeministër, por si kapobandë”, tha Berisha, mes reagimeve të forta të protestuesve.
Protesta u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, ndërsa drejtuesit e opozitës paralajmëruan vijimin e aksionit politik në ditët në vijim.




Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






