

Një operacion i gjerë antidrogë ka çuar në çmontimin e një rrjeti kriminal që vepronte mes Italisë dhe Shqipërisë, me fokus trafikun e kokainës. Si rezultat, janë arrestuar gjithsej 16 persona, ndërsa hetimet janë koordinuar nga autoritetet italiane në Pescara.
Operacioni u finalizua këtë të hënë, me ekzekutimin e urdhrave të Gjykatës së Hetimeve Paraprake: 9 persona u dërguan në burg dhe 7 të tjerë u vendosën në arrest shtëpie. Urdhrat u lëshuan me kërkesë të Zëvendës Prokurorit Publik të Pescara-s, i cili drejtoi hetimin.
Sipas autoriteteve, hetimet kishin nisur në muajin mars 2024 dhe u mbështetën kryesisht në përgjime telefonike, vëzhgime të targetuara dhe sekuestrime të vazhdueshme. Gjatë këtij procesi, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, përfshirë edhe 2 kilogramë kokainë të kapur në flagrancë.
Rrjeti kriminal dyshohet se ishte i strukturuar dhe i shtrirë në disa zona të Italisë, përfshirë Pescara-n dhe Montesilvano-n, me degëzime edhe në Shqipëri. Autoritetet bëjnë me dije se disa nga personat e përfshirë rezultojnë me precedentë penalë të mëparshëm.
Hetuesit kanë identifikuar role të ndryshme brenda zinxhirit të trafikimit, nga nivelet më të ulëta deri te drejtuesit e dyshuar të organizatës. Në fokus të hetimeve kanë qenë edhe individë aktivë në sektorë të ndryshëm ekonomikë dhe profesionalë.
Sipas mediave italiane, rrjeti gjeneronte të ardhura mujore që tejkalonin 150 mijë euro, ndërsa për sigurimin e pagesave dhe kontrollin e aktivitetit, anëtarët e grupit dyshohet se përdornin edhe metoda presioni.
Operacioni, i koduar “MareMagnum”, konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të muajve të fundit kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






