

TIRANË – Autoritetet kanë ndërmarrë masa të shtuara sigurie për protestën e opozitës që pritet të zhvillohet këtë të hënë, në orën 18:00, përpara Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas burimeve zyrtare, rreth 1300 efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit. Në terren do të jenë të pranishme Forcat “Shqiponja”, punonjës policie me uniformë dhe agjentë civilë, ndërsa në gatishmëri do të qëndrojë edhe njësia speciale RENEA.
Pranë godinës së Kryeministrisë janë vendosur edhe autobote me ujë, si masë parandaluese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Po ashtu, janë marrë masa shtesë për mbrojtjen e institucionit.
Leja për zhvillimin e tubimit është dhënë për një kohëzgjatje prej dy orësh, ndërkohë që organizatorët nuk kanë sqaruar ende nëse protesta do të zgjasë përtej këtij afati.
Në zhvillime të tjera, bëhet me dije se Adriatik Lapaj është larguar nga zona ku pritet të mbahet protesta.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






