Transmetuar më 22-12-2025, 15:26

Tiranë- Faqet zyrtare online të të gjitha agjencive shtetërore me domainin “gov.al” rezultuan të paarritshme mesditën e sotme, duke krijuar një situatë të pazakontë për aksesin publik në shërbimet dhe informacionin institucional.

Sipas verifikimeve të kryera nga Ekofin, përpjekjet për të aksesuar këto faqe janë bërë nga IP të ndryshme, për disa minuta radhazi, konkretisht nga ora 13:25 deri në 13:40, pa asnjë rezultat pozitiv. Pavarësisht rifreskimeve të vazhdueshme dhe tentativave nga rrjete të ndryshme interneti, asnjë prej faqeve zyrtare nuk ka qenë funksionale. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, portalet vijojnë të jenë offline.

Aktualisht nuk ka asnjë njoftim zyrtar që të sqarojë arsyen e këtij mosfunksionimi masiv. Nuk dihet nëse problematika lidhet me ndonjë proces teknik, mirëmbajtje apo azhornim të serverëve nga ana e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucion përgjegjës për infrastrukturën digjitale të administratës publike.

Nga ana tjetër, situata vjen në një moment të ndjeshëm institucional, pasi drejtuesja e AKSHI-t dhe zëvendësja e saj ndodhen nën hetim nga SPAK, lidhur me dyshime për korrupsion dhe abuzime me procedurat e prokurimit publik. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nëse ekziston ndonjë lidhje mes hetimeve dhe ndërprerjes së aksesit në portalet qeveritare.

Mosfunksionimi i faqeve “gov.al” prek drejtpërdrejt transparencën institucionale dhe aksesin e qytetarëve, bizneseve dhe medias në informacion publik dhe shërbime digjitale, duke rikthyer në vëmendje varësinë e lartë të administratës nga një infrastrukturë e centralizuar teknologjike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit