Transmetuar më 22-12-2025, 09:21

Tiranë, 22 Dhjetor 2025

Partia Demokratike zhvillon sot protestën kombëtare të paralajmëruar prej ditësh, përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Tubimi pritet të nisë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa organizatorët presin një pjesëmarrje më të lartë krahasuar me protestat e mëparshme, të zhvilluara në formën e “foltores”.

Gjatë ditëve të fundit, drejtues dhe deputetë të PD-së, mes tyre Flamur Noka, Albana Vokshi, Jola Hysaj, Klevis Balliu dhe Elda Hoti, kanë zhvilluar takime me qytetarë në zona të ndryshme të vendit, duke i ftuar ata të marrin pjesë në protestën e sotme.

Protesta vjen pas deklaratave të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili më 20 dhjetor paralajmëroi një intensifikim të aksionit opozitar kundër qeverisë, duke e cilësuar tubimin e sotëm si fillimin e një faze të re të rezistencës politike.

Një ditë përpara protestës, autoritetet kanë ndërmarrë masa të shtuara sigurie përreth Kryeministrisë. Në zonë janë vendosur mburoja metalike dhe janë evidentuar përgatitje për menaxhimin e tubimit.

Protesta e 22 dhjetorit pason një seri tubimesh të zhvilluara gjatë javëve të fundit dhe konsiderohet nga opozita si një hap i rëndësishëm në aksionin e saj politik ndaj qeverisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit