Transmetuar më 22-12-2025, 08:54

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Dubain, ku një asistente fluturimi 25-vjeçare u gjet pa shenja jete në një dhomë hoteli me pesë yje.

Sipas autoriteteve, e reja kishte pësuar dëmtime të rënda dhe kishte ndërruar jetë në vend. Si i dyshuar kryesor është identifikuar ish-burru i saj, Albert Morgan, 41 vjeç, i cili u ndalua nga autoritetet ruse pas mbërritjes në Shën Petersburg, në zbatim të një urdhri gjykate.

Raportimet e mediave ndërkombëtare bëjnë me dije se hetuesit po shqyrtojnë pistën e xhelozisë si motiv të mundshëm të ngjarjes. Sipas burimeve, i dyshuari kishte shfaqur më herët dyshime për jetën personale të viktimës gjatë kohës që ata ishin në një lidhje.

Autoritetet dyshojnë se Morgan kishte arritur të hynte në ambientet e hotelit duke u paraqitur si klient, çka më pas solli një përballje mes tyre, e cila përfundoi në mënyrë tragjike.

Sipas hetimeve paraprake, Morgan kishte udhëtuar në Dubai i shoqëruar nga një person tjetër, i cili dyshohet se e ka ndihmuar të identifikonte dhomën ku qëndronte viktima. Identifikimi i tij u bë përmes pamjeve të kamerave të sigurisë së hotelit, të cilat u vunë në dispozicion të autoriteteve, duke çuar në ndalimin e tij pas kthimit në Rusi.

Mediat raportojnë gjithashtu se, përpara ndalimit, Morgan kishte paraqitur kërkesa për t’u përfshirë në luftimet në Ukrainë, një praktikë që sipas burimeve është përdorur në disa raste nga persona të dyshuar për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore.

Gjykata e Distriktit Oktyabrsky në Shën Petersburg ka vendosur masën e paraburgimit për dy muaj, në pritje të zhvillimit të hetimeve të mëtejshme. Sipas autoriteteve, gjatë martesës dyvjeçare mes çiftit, viktima kishte kontaktuar disa herë policinë për konflikte të dhunshme, por më pas kishte tërhequr ankesat.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit