

Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbahet sot ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës nga Altin Dumani te drejtuesi i ri, Klodian Braho, i zgjedhur për një mandat trevjeçar me 7 vota të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Ceremonia është parashikuar të zhvillohet në orën 10:00 dhe vlerësohet nga SPAK si një moment i rëndësishëm për garantimin e vazhdimësisë institucionale dhe forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mandati i drejtuesit të SPAK është tre vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje. Altin Dumani, i cili pasoi Arben Krajën si drejtues i Strukturës së Posaçme, do të vijojë detyrën si prokuror i SPAK deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati i tij 9-vjeçar.
Dumani e mbylli mandatin në krye të SPAK pasi dështoi me kërkesat e vazhdueshme për mundësinë e rikandidimit në post dhe për zgjatjen e mandatit 9 vjeçar të prokurorëve të SPAK.
Klodian Braho është një prej prokurorëve me karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. I emëruar prokuror në vitin 2007, ai ka shërbyer në Prokurorinë e Beratit dhe më pas në atë të Vlorës, ku ka mbajtur edhe detyrën e zëvendësdrejtuesit. Në Vlorë u bë i njohur për hetimin dhe dërgimin në gjyq të ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika.
Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku spikati me hetimin ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, një nga çështjet simbol të llogaridhënies në nivelet e larta të drejtësisë.
Si prokuror i SPAK, Klodian Braho ka drejtuar disa nga dosjet me ndikim të gjerë publik, përfshirë çështjen e inceneratorit të Elbasanit, dosjen “5D”, hetimin “Toyota Auris”, si dhe ka qenë pjesë e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për çështjen e Gërdecit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






