Transmetuar më 22-12-2025, 08:18

TIRANË, 22 dhjetor 2025 Sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) mbahet seanca paraprake për dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ku do të vendoset nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim.

Në seancën e kaluar, në sallë ishte i pranishëm edhe vetë Meta, i cili kërkoi të njihet me aktet e dosjes. GJKKO ka urdhëruar SPAK që një pjesë e provave t’i vihet në dispozicion mbrojtjes së ish-kreut të shtetit.

Sipas burimeve për Report Tv, Meta nuk ka kërkuar të gjithë materialin hetimor, por vetëm aktet që, sipas SPAK, e implikojnë drejtpërdrejt atë në çështje.

SPAK i mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa në fund të gushtit dosja u dërgua për gjykim. Hetimi përfshin tre çështje të bashkuara në një dosje të vetme: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash në bashkëpunim me Ema Çokun. Meta ndodhet në burg që nga tetori i vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit të paraqitjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit