

Dy persona kanë humbur jetën pasditen e sotme si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor të ndodhur në autostradën Beograd–Nish, pranë daljes së Umçarit, raportojnë mediat lokale serbe.
Mediat në Maqedoni të Veriut raportojnë se në veturën e aksidentuar ishin kushërinjtë Nazim dhe Shkëlzen Avdiu si dhe bashkëshortja e Shkëlzenit. Ata po ktheheshin nga Gjermania në Maqedoni për pushime me rastin e festave.
Në vendin e ngjarjes jetën e kanë humbur Nazim Avdiu dhe bashkëshortja e Shkëlzenit, kurse ky i fundit ka pësuar lëndime të rënda.
Ata po udhëtonin me një automjet të tipit “Seat” me targa gjermane.
Sipas të dhënave paraprake, mjeti ka humbur kontrollin për arsye ende të paqarta dhe ka dalë nga rruga, duke sjellë pasoja fatale për dy prej tre personave në mjet.
Burime mediatike bëjnë me dije se tre personat dyshohet se ishin në tranzit nga Berlini nëpër Serbi dhe po udhëtonin drejt Maqedonisë së Veriut, ku planifikonin të kalonin pushimet.
Shkaku i aksidentit do të përcaktohet gjatë hetimeve. Sipas supozimeve fillestare, ekziston mundësia që shoferi të ketë fjetur nga lodhja, çka ka çuar në daljen e automjetit nga rruga.
Autoritetet serbe kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa qarkullimi në këtë segment të autostradës ka qenë përkohësisht i kufizuar.

Në një publikim të Hoxhë Burim Jashari thuhet:
“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për aksidentin tragjik në Beograd, ku humbën jetën Avdiu Nazim dhe bashkëshortja e vëllait tonë Shkëlzen Avdiu, ndërsa Shkëlzen Avdiu ndodhet në gjendje kome, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nazim Avdiu ishte një xhemat i afërt i imi, shembullor, namazli i përkushtuar, njeri i qetë dhe i urtë, dhe një personalitet i respektuar nga të gjithë. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar në xhaminë tonë “Jakup Asipi” – Berlin.
Kjo humbje është e rëndë për familjen, xhematin dhe për të gjithë ata që i njohën. Lusim Allahun e Madhëruar t’i mëshirojë Nazim Avdiun dhe bashkëshorten e Shkëlzen Avdiut, t’i pranojë në mëshirën e Tij të pafund, t’u japë sabër familjarëve, ndërsa Shkëlzen Avdiut t’i dhurojë shërim sa më të shpejtë.
Hoxhë Burim Jashari
21.12.2025 Shkup”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






