Transmetuar më 21-12-2025, 17:39

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, ka vizituar për herë të parë Shkodrën, ku këtë të diel ka drejtuar meshën para Krishtlindjes në kishën ortodokse të këtij qyteti. Vizita e tij historike u shoqërua me mesazhe të forta shpirtërore, ku u theksua rëndësia e pranisë së Zotit në jetën personale, familjare dhe shoqërore të njeriut.

Gjatë predikimit, Kryepeshkopi Joan nënvizoi se çdo përpjekje për të ndërtuar jetën, shoqërinë apo lumturinë pa Zotin është e destinuar të dështojë, ndërsa theksoi se porositë hyjnore nuk janë kufizim i lirisë, por garanci e saj.

Në fjalën e tij, Fortlumturia e Tij foli edhe për kuptimin e vërtetë të Kreshmës, duke theksuar se ajo nuk është thjesht heqje dorë nga ushqimi, por mbi të gjitha pastrim shpirtëror, largim nga thashethemet, shpifjet dhe mëkatet e përditshme. Ai u ndal edhe te rënia e natyrës njerëzore dhe misioni i Krishtit për ta ringritur atë.

Në mbyllje të mesazhit të tij, Kryepeshkopi Joan vuri theksin te roli i familjes si bërthama e komunitetit dhe përgjegjësia që çdo besimtar ka jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Vizita e tij në Shkodër u cilësua si një moment i veçantë për komunitetin ortodoks dhe për gjithë qytetin, në prag të festës së Krishtlindjes. Pas meshës zhvilloi vizitë në bashkinë Shkodër dhe Myftini duke dhënë mesazhe paqe e bashkimi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit